**55 Raste Të Shkrepjes Së Armëve Gjatë Festimeve: 48 Persona Të Shoqëruar Në Polici Në Vetëm Dy Muaj**

Policia e Kosovës ka regjistruar 55 raste të shkrepjes së armëve gjatë festimeve brenda muajve qershor dhe korrik. Lidhur me këto incidente, janë shoqëruar 48 persona dhe janë konfiskuar 47 armë zjarri.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka bërë me dije se këto raportime lidhen kryesisht me të shtëna me armë në dasma dhe ahengje familjare.

MPB-ja ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e tyre në raportimin e rasteve dhe i ka inkurajuar ata të vazhdojnë këtë praktikë, si pjesë e fushatës “Festo me zemër, jo me armë”.

Sipas ministrisë, qëllimi i kësaj fushate është rritja e vetëdijes publike për rrezikun e keqpërdorimit të armëve dhe krijimi i një ambienti më të sigurt gjatë tubimeve familjare e sociale.