Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton se në periudhën 16–30 prill 2026, në Kosovë janë konfirmuar 8 raste të fruthit, ndërsa 2 raste të tjera mbeten të dyshimta.

Sipas IKSHPK-së, të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës) dhe janë duke marrë trajtim spitalor, çka tregon për rrezikun e komplikimeve që mund të shkaktojë kjo sëmundje shumë ngjitëse.

Instituti u bën thirrje prindërve që të kontrollojnë dhe plotësojnë kalendarin e vaksinimit të fëmijëve në qendrat e mjekësisë familjare, si dhe të shmangin kontaktin me persona të dyshuar me fruth. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, kollë dhe rrufë, ndërsa rastet e dyshimta duhet të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.

IKSHPK thekson se vaksinimi mbetet masa më efektive për parandalimin e fruthit dhe njofton se po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike, identifikimi i fëmijëve të pavaksinuar dhe vaksinimi në terren përmes ekipeve mobile.