**MMPH gjobit Komunën e Prishtinës me 10 mijë euro për keqmenaxhimin e mbeturinave, paralajmëron masa të tjera**

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka shqiptuar dy gjoba, në vlerë totale prej 10 mijë eurosh, ndaj Komunës së Prishtinës për mosplotësimin e obligimeve ligjore në menaxhimin e mbeturinave. Njëherazi, ministria paralajmëroi masa të ashpra ndaj komunave dhe kompanive të tjera publike rajonale, për shkak të situatës së rëndë me mbeturina në disa pjesë të vendit.

Ministrja Fitore Pacolli theksoi se situata aktuale me mbeturinat paraqet një rrezik të vërtetë për mjedisin dhe shëndetin publik. Ajo njoftoi se gjoba janë shqiptuar edhe ndaj komunave të tjera dhe kompanive rajonale të menaxhimit të mbeturinave, duke kritikuar posaçërisht Komunën e Prishtinës për keqmenaxhimin dhe problemet me ndërmarrjen publike “Pastrimi”.

“Jemi duke ndërmarrë hapa emergjentë dhe strategjikë, duke parë gjendjen e rëndë dhe të papranueshme me mbeturina që ka kapluar shumë pjesë të vendit,” deklaroi ministrja. Ajo shtoi se kjo situatë përbën një rrezik real për mjedisin dhe shëndetin publik. Pacolli theksoi se ndërsa disa komuna bëjnë një punë të mirë në grumbullimin e mbeturinave, të tjera dështojnë të përmbushin detyrat ligjore, me Komunën e Prishtinës që fatkeqësisht prin në këtë drejtim. “Përveç mungesës së vullnetit për të kryer obligimet, komuna e Prishtinës po keqmenaxhon edhe ndërmarrjen publike ‘Pastrimi’,” u shpreh ajo. Ministrja nënvizoi se qeveria nuk mund të rrijë duarkryq. “Për të mbrojtur shëndetin publik, ministria ka ndërmarrë dhjetëra aksione inspektimi dhe ka vendosur mbikëqyrje strikte, duke bërë të qartë se keqmenaxhimin nuk do ta tolerojmë në asnjë nivel,” përfundoi ajo.

Ministrja renditi gjobat e shqiptuara gjatë ditëve të fundit: Komuna e Prishtinës me dy gjoba (gjithsej 10,000 euro), Komuna e Istogut me 5,000 euro, kompania rajonale “Pastrimi” në Prishtinë me 2,000 euro, kompania “Ambienti” në Pejë me dy gjoba (gjithsej 7,000 euro), si dhe kompania “Higjiena” në Deçan me 2,000 euro. Përveç këtyre, janë gjobitur edhe një numër i madh qytetarësh të papërgjegjshëm që vazhdojnë të hedhin mbeturina në vende të paligjshme. Pacolli theksoi se kontrollet në terren janë të shpeshta dhe kryhen me dronë e kamera, duke ftuar qytetarët të shpërndajnë mbeturinat në deponitë legale, të cilat janë të hapura çdo të shtunë.

Ajo foli edhe për situatën më të vështirë në komunat veriore, ku është caktuar lokacioni për ndërtimin e një deponie të re, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.