Mbi 109 mijë aplikime janë aprovuar për të votuar jashtë Kosovës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë zgjedhur votimin përmes postës, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media tha se më 17 maj është përmbyllur afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës dhe se deri tani janë aprovuar 109,696 aplikime.
“Më 17 maj është përmbyllur afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Në bazë të të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi, më 6 maj dhe deri në përfundim të tij, më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim”, tha ai.
Elezi bëri të ditur se shumica e qytetarëve të regjistruar kanë zgjedhur votimin përmes postës.
“Mënyra më e përzgjedhur për të votuar, është votimi përmes postës. Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855 të tjerë për të dërguan pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tha ai.
Ai tha se procesi i votimit jashtë Kosovës do të nisë më herët sesa dita e zgjedhjeve në Kosovë.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë vendit zhvillohet më herët. Së pari, planifikohet që votimi përmes postës të fillojë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor”, tha ai.
Elezi shtoi se KQZ-ja do ta rishikojë numrin e përfaqësive diplomatike ku do të organizohet votimi fizik, pasi disa prej tyre kanë më pak se 50 votues të regjistruar.
“Për votimin me postë, janë funksionalizuar kutitë postare në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën, dhe adresat e tyre do të bëhen publike gjatë kësaj jave. Kurse, për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, KQZ do të saktësojë numrin e ambasadave dhe konsullatave në të cilat do të organizohet ky lloj votimi. Sipas vendimit fillestar, procesi i votimit planifikohej të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Megjithatë, pasi në periudhën e regjistrimit ka një numër përfaqësish që kanë më pak se 50 votues të regjistruar, KQZ do ta rishikojë listën e përfaqësive diplomatike në të cilat do të organizohet votimi më 6 qershor. Sipas Rregullores Zgjedhore për Regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ”, tha ai.
Duke folur për aplikimet e refuzuara, Elezi tha se aplikuesit janë njoftuar vazhdimisht nga KQZ-ja për dokumentet që kanë munguar dhe për të drejtën e ankesës.
“E para, refuzimi nga ana e KQZ-së do të thotë në një moment kur është bërë, kur është njoftuar aplikuesi se aplikimi i tij nuk është pranuar, ky nuk ka qenë një refuzim përfundimtar sepse në komunikimet e drejtpërdrejta që kemi me aplikuesit përmes e-mailit të cilën ata e shënojnë në momentin e regjistrimit, KQZ ka njoftuar se për dokumentet të cilat u mungojnë dhe që duhet t’i paraqesin për të qenë aplikimi i tyre i plotë. Pra, ka qenë një komunikim i vazhdueshëm. Në rastet kur ka pasur një refuzim përfundimtar, pra kur aplikuesi nuk ka përmbushur kriteret të cilat janë të kërkuara me ligj dhe procedurat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjithashtu këta aplikues janë njoftuar nga ana e KQZ-së se nga momenti i refuzimit të aplikimit dhe nga momenti i pranimit të njoftimit për refuzim të aplikimit, kanë mundur të paraqesin ankesën e tyre, pra kundërshtimin administrativ pranë komisionit, të cilin e ka themeluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra, kundërshtimi administrativ fillimisht ka mundur të paraqitet brenda KQZ-së. Dhe, edhe në rastet kur ky komision i formuar nga ana e KQZ-së ka hedhur poshtë ankesën e paraqitur nga ana e aplikuesit, aplikuesi ka mundur që të vazhdojë procesin ankimor në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Pra, për ta përshkruar me pak fjalë, fillimisht çdo aplikim i refuzuar përfundimisht nga ana e KQZ-së ka mundur të parashtrohet ankesë në komisionin administrativ, pra për kundërshtim administrativ të themeluar nga ana e KQZ-së dhe më pastaj edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, tha ai.
Ai bëri të ditur se fletëvotimet për votimin me postë tashmë janë shtypur dhe gjatë kësaj jave do të nisë dërgimi i tyre për votuesit jashtë Kosovës.
“E para, sa i përket votimit jashtë vendit, në mbledhjen e kaluar KQZ ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për votimin me postë. Kjo është bërë që KQZ të mos vonohet sa i përket shtypjes së fletëvotimit dhe pastaj dërgimit të këtyre fletëvotimeve në adresë të votuesve. Sipas rregullores zgjedhore të KQZ-së, për regjistrimin e votimit jashtë Kosovës, detyrë e KQZ-së është që ta dërgojë në adresë të votuesve pakon e cila përmban fletëvotimin. Këto fletëvotime, edhe sipas konfirmimeve që mora pak më herët, janë shtypur dhe ato do të pritet që të vijnë gjatë ditës së nesërme në Kosovë dhe pastaj do të vendosen nëpër pakot të cilat gjatë kësaj jave do të fillojmë t’i dërgojmë për votuesit jashtë vendit”, tha ai.

