Jose Mourinho dëshiron që mesfushori i Manchester Cityt, Rodri, të jetë transferimi i tij i parë si trajner i Real Madridit, sipas raportimeve, ndërsa “The Special One” po përgatitet për një rikthim të dytë në krye të klubit.

Pas javësh spekulimesh, të hënën u raportua gjerësisht se Mourinho ka arritur marrëveshje për t’u rikthyer te Real Madridi me një kontratë dyvjeçare.

Sipas “Sky Sports”, një njoftim zyrtar pritet pas ndeshjes së fundit të sezonit të “Los Blancos” kundër Athletic Bilbaos, ndërsa prezantimi i tij zyrtar parashikohet për javën e ardhshme, përcjell “Gazeta Express”.

Ky rikthim vjen 13 vite pas shkarkimit të tij nga klubi spanjoll.

Ndërkohë, Mourinho pritet të largohet nga posti i tij te Benfica pasi e përfundoi sezonin në Primeira Liga pa humbje. Megjithatë, ata humbën mundësinë për Ligën e Kampionëve pasi përfunduan të tretët.

“E ardhmja ime duhet të vendoset këtë javë,” tha ai në një konferencë për shtyp të dielën.

“Kam një ofertë nga Benfica. Nuk kam një ofertë nga Real Madridi. Në të njëjtën kohë, po përpiqesha ta fsheh që nuk ka asgjë, por nuk mund ta bëjmë këtë – ka diçka, por jo drejtpërdrejt me mua”, tha ai.

“Më duhet kohë, më duhet hapësirë për të menduar dhe kjo javë do të jetë shumë e rëndësishme,” shtoi ai.

Mourinho ka një detyrë të vështirë përpara. Në fushë, paraqitjet e dobëta kanë sjellë një tjetër sezon pa trofe. Jashtë fushës, dhoma e zhveshjes raportohet të jetë e përçarë pas konflikteve dhe përplasjeve të brendshme.

Sipas medias spanjolle “Defensa Central”, Mourinho tashmë është duke u përfshirë në planifikimin e sezonit të ardhshëm dhe po “ushtron presion” për transferimin e Rodrit nga Manchester City, i cili mund të kushtojë rreth 30 milionë euro (26.1 milionë £).

Mesfushori 29-vjeçar i Spanjës, i cili humbi pjesën më të madhe të sezonit të kaluar për shkak të një dëmtimi të rëndë në ligamentin e gjurit (ACL), ka vazhduar të ketë probleme me dëmtime, por cilësia e tij kur është në formë të plotë nuk vihet në dyshim.

Rodri më parë ka thënë se do të donte të rikthehej një ditë në Spanjë.

Pep Guardiola, ndërkohë, ka deklaruar se nuk do ta ndalonte Rodrin nëse ai dëshiron të transferohet te Real Madridi.

“Nuk ka asnjë lojtar që do ta refuzonte mundësinë për të luajtur për Real Madridin, ai ka lindur në Spanjë,” tha ai në prill.

“Dëshira ime është që Rodri të qëndrojë sa më gjatë te ky klub, sepse është një lojtar i jashtëzakonshëm, por jeta e secilit është personale”, shtoi Guardiola.

“Nëse një lojtar nuk është i lumtur, duhet të largohet… nëse është i lumtur, qëndron. Kjo është gjithmonë e njëjta gjë”, u shpreh ai.

Kontrata e Rodrit me Manchester Cityn skadon në verën e vitit 2027, dhe klubi anglez po kërkon ta zgjasë qëndrimin e tij.

Sipas Fabrizio Romanos, marrëveshja e Mourinhos me Real Madridin është pothuajse e mbyllur.

“Jose Mourinho rikthehet te Real Madrid. Here we go. Marrëveshja është arritur dhe gjithçka është gati pas negociatave të gjata… tani vetëm pritet miratimi final,” tha ai.

“Gjithçka është në vend. Mourinho është gati të rikthehet në ‘Bernabeu’ dhe të ndihmojë Real Madridin në një moment të vështirë të klubit. Në ditët në vijim ai pritet të udhëtojë drejt Madridit për ta finalizuar rikthimin e tij”, u shpreh Romano./GazetaExpress/