**Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup: Kërkojnë provime edhe në gjuhën amtare**
Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup të Maqedonisë së Veriut nisi me disa minuta vonesë, me qëllim që të pritej mbërritja e studentëve të tjerë nga qytete të ndryshme të vendit dhe rajoni. Një numër i madh protestuesish, kryesisht studentë, ishin mbledhur tashmë para Urës së Gurit në kryeqytetin maqedonas.
Tubimit iu bashkuan edhe studentë nga Kosova dhe Shqipëria, duke dëshmuar solidaritet rajonal. Protesta filloi me intonimin e Himnit Kombëtar shqiptar dhe thirrjeve “UÇK”, pas të cilave protestuesit nisën marshimin e tyre të organizuar.
Studentët po protestojnë për të kërkuar lejimin e dhënies së provimeve edhe në gjuhën shqipe, një kërkesë e bazuar në statusin zyrtar që gëzon kjo gjuhë në vend.
Organizatorët, të cilët kishin paralajmëruar për pjesëmarrje masive, theksuan se mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet dhe proceset profesionale nuk është vetëm një çështje ligjore, por edhe një çështje thelbësore dinjiteti dhe barazie.
