Gjukanoviq: Rrethe nga Beogradi tentuan destabilizimin e Kosovës dhe komprometimin e KFOR-it
Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se rrethe të fuqishme politike dhe të sigurisë në Beograd qëndronin prapa të ashtuquajturës “afera S.Ç.”, me synimin për të destabilizuar Malin e Zi dhe për të dëmtuar imazhin e Kosovës në prag të proceseve të rëndësishme politike në rajon.
Në një intervistë për Televizionin E, Gjukanoviq theksoi se një ndër objektivat kryesore të këtyre strukturave ishte destabilizimi i Kosovës dhe dëmtimi i imazhit të misionit të NATO-s, KFOR.
Ai shpjegoi se synimi specifik ishte komprometimi i KFOR-it në Kosovë dhe i komandës së tij ushtarake. “Për këtë arsye, po përgatiteshin 27 vajza, të cilat do t’u afroheshin zyrtarëve të lartë ushtarakë të KFOR-it. Ndër to ishte edhe S.Ç.”, sqaroi Gjukanoviq.
Gjukanoviq pohoi se autoritetet malazeze kishin marrë informacione se vajzat po trajnoheshin në stadiumin e klubit Obiliq në Beograd.
“Fatmirësisht, KFOR-i dhe UNMIK-u arritën t’i merrnin informacionet në kohë dhe ta parandalonin këtë aktivitet”, shtoi ai.
Ai thekson se pas këtyre operacioneve qëndronin struktura të sigurisë dhe kundërzbulimit ushtarak serb, të lidhura me epokën e Slobodan Millosheviqit dhe qeverinë e ish-presidentit jugosllav Vojislav Koshtunica.
Sipas Gjukanoviqit, këto rrethe besonin se destabilizimi i Kosovës do të ngadalësonte ose pengonte njohjen e saj ndërkombëtare.
Ai e cilësoi “aferën S.Ç.” si pjesë të një strategjie më të gjerë politike dhe të sigurisë, e cila kishte për qëllim të dëmtonte pavarësinë e Malit të Zi dhe të pengonte proceset euroatlantike në rajon.
