Policia neutralizon dy persona pas rezistence të armatosur, njëri i plagosur dhe në kërkim ndërkombëtar

**Tiranë** – Policia e Shtetit ka neutralizuar dhe arrestuar dy persona, njëri prej të cilëve i plagosur, pas një ndjekjeje dhe rezistence të armatosur ku tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale. Njëri prej të arrestuarve ishte në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasjeje, ndërsa shoqëruesi i tij ishte i armatosur.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një operacioni të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, i realizuar pas shkëmbimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë. Ky operacion kishte si objektiv kapjen e 23-vjeçarit Leonard Dema, i lindur në Mamurras, i cili ishte dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos në Itali për tentativë vrasjeje. Dema shoqërohej nga 28-vjeçari A. F., i cili posedonte një armë zjarri.

Sipas njoftimit zyrtar, efektivët e policisë kishin marrë informacion për vendndodhjen e Demës dhe e kanë lokalizuar atë në një karburant, në aksin rrugor Mamurras-Laç. Në momentin e ndërhyrjes, sapo kanë konstatuar praninë e policisë, dy personat, që lëviznin me automjet, kanë tentuar t’i përplasin me makinë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Njëkohësisht, personi shoqërues i ka drejtuar armën e zjarrit, tip pistoletë, shërbimeve policore.

Në kushtet e vetëmbrojtjes dhe gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, shërbimet e Policisë kanë plagosur Leonard Demën, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Pas kësaj, u bë arrestimi në flagrancë edhe i shtetasit A. F. Arma e zjarrit, një pistoletë, u sekuestrua menjëherë.

Policia bën me dije se hetimet për rastin vazhdojnë në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave.