Bedri Hamza kritikon LVV-në: Vendimet merren nga Kurti dhe Dejona Mihali, ndërsa PDK-ja funksionon në mënyrë kolegjiale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar në emisionin “Click” të RTV21 se partia e tij funksionon në mënyrë kolegjiale, ndryshe nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ku, sipas tij, vendimet merren nga dy figura kyçe.

“Të gjithë e dinë, dhe unë vetë jam i vetëdijshëm, se jam kryetari i PDK-së, Bedri Hamza. Kam treguar korrektësi të plotë në takime dhe kam paraqitur qëndrimet e partisë,” theksoi Hamza. Ai shtoi se “në PDK nuk vendosin struktura të tjera, por çdo organ ka peshën dhe rëndësinë e vet. Nuk jam unë i vetmi vendimmarrës.”

Duke bërë dallimin me LVV-në, ai theksoi: “Në LVV vendosin dy persona: njëri nga sfera politike dhe tjetra jashtë politikës, konkretisht Albin Kurti dhe Dejona Mihali. Këto janë ‘adresat’ që kam përmendur.” Hamza shtoi se, “kam respekt për deputetët në Kuvend, por shumica e tyre nuk mund të shprehen lirshëm.”

Hamza shprehu gjithashtu dëshirën që deputetët e PDK-së të mos mbajnë fjalime të papërgatitura. “Nuk do të doja të shihja një deputet të PDK-së që mban një fjalim në Kuvend dhe duket qartë se nuk është përgatitur, duke dhënë përshtypjen sikur po e lexon për herë të parë,” theksoi ai.