Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në një intervistë për kanalin televiziv francez France 24 se pret që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian gjatë javëve ose muajve të ardhshëm. Njëkohësisht, ai theksoi se është ende herët për të folur për një kapitull të ri në marrëdhëniet me Serbinë pas zgjedhjeve atje, por shtoi se njohja e shpejtë e Kosovës nga Beogradi do të ishte në interesin më të mirë të të dy vendeve.
Kurti shprehu keqardhjen se Kosova, katër vjet pas aplikimit për anëtarësim, ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat. Ai theksoi se Kosova është i vetmi vend në Evropë pa këtë status, duke ia atribuuar vonesën mungesës së kërkesës nga Këshilli Evropian drejtuar Komisionit Evropian për të përgatitur opinionin mbi aplikimin e Kosovës.
“Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrat tona për sa i përket treguesve demokratikë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, transparencës, lirisë së shtypit, demokracisë zgjedhore dhe demokracisë liberale,” deklaroi Kurti.
Ai shtoi se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar në procesin e integrimit evropian, por një proces të bazuar në meritë. “Ne nuk duam rrugë të shkurtra, dyer të pasme apo procedura të përshpejtuara. Duam një proces të bazuar në meritë dhe jemi të gatshëm për këtë. Jemi të gatshëm t’u përgjigjemi me përkushtim dhe kujdes mijëra pyetjeve në pyetësorin që ende nuk na është dërguar,” tha ai.
Si arsye për vonesën, Kurti përmendi dinamikat e brendshme në Këshillin e BE-së, konkretisht qëndrimin e pesë shteteve anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Spanjës, Qipros, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovakisë. I pyetur nëse Kosova mund t’ua ndryshojë qëndrimin këtyre shteteve, Kurti theksoi se bashkëpunimi dhe komunikimi me to është rritur. Ai përmendi si shembuj njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja dhe ngritjen e statusit të zyrës së Kosovës në Athinë.
“Ne u kemi kërkuar që t’i bashkohen shumicës, 22 vendeve anëtare të BE-së që na njohin. Ka pasur njëfarë përparimi gradual. Këto janë shenja pozitive, por njohja ende nuk ka ndodhur,” deklaroi Kryeministri. Ai shtoi se, pavarësisht kësaj, pesë shtetet mosnjohëse nuk përbëjnë pengesë për dërgimin e pyetësorit të Kosovës në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Në lidhje me kritikat e Komisionit Evropian mbi reformat në Kosovë, sidomos pavarësinë e gjyqësorit, Kurti pranoi ekzistencën e vërejtjeve ndaj sistemit të drejtësisë, por theksoi se pikërisht për këtë arsye kanë nisur reformat. Ai bëri të ditur se Kosova është pranë themelimit të një byroje për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. “Nuk mund të kesh një pagë mesatare dhe një vilë të madhe, apo disa të tilla,” sqaroi Kurti. Sipas tij, procesi i integrimit në BE, përmes hapjes dhe mbylljes së kapitujve, do të ndihmonte Kosovën në reformimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë dhe administratës publike.
Lidhur me raportet Kosovë-Serbi, Kurti u shpreh se është ende herët për të vlerësuar nëse pas zgjedhjeve në Serbi mund të hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet dypalëshe. Ai ritheksoi se Kosova synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar te njohja reciproke. “Ne duam normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke. Nuk ka makinë kohe për t’u kthyer në shekullin e 20-të,” deklaroi Kryeministri. Ai theksoi se Kosova është shtet i pavarur dhe republikë demokratike, duke shtuar se sa më shpejt që Beogradi ta pranojë këtë realitet, aq më mirë do të jetë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
