Vdekje tragjike në Manhattan: 56-vjeçarja shqiptare bie në pusetë të hapur dhe humb jetën
Një lajm i hidhur ka tronditur komunitetin shqiptar në New York, pas vdekjes tragjike të një gruaje shqiptare, e cila humbi jetën pasi ra në një pusetë të pambuluar në mes të rrugës.
Viktima është identifikuar si Donike Gocaj, 56 vjeçe, me banim në Briarcliff Manor. Sipas të dhënave të policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 23:19 të së hënës, pranë Fifth Avenue në Manhattan.
Dëshmitarët okularë pohojnë se gruaja kishte dalë nga automjeti i saj dhe, vetëm pak sekonda më pas, u zhduk brenda një pusetë elektrike të hapur, me thellësi rreth 3 metra, e cila i përkiste kompanisë Con Edison.
“Ajo mbylli derën e makinës dhe bëri një hap përpara. Papritur u zhduk”, deklaroi për mediat amerikane dëshmitari Carlton Wood.
Wood shtoi se disa qytetarë u përpoqën menjëherë t’i vinin në ndihmë gruas, teksa prisnin mbërritjen e ekipeve të emergjencës. Ai theksoi se dikush solli edhe një shkallë të improvizuar, por thellësia e madhe e pusetës e bëri të pamundur nxjerrjen e saj.
“Ajo po bërtiste se po vdiste”, rrëfeu dëshmitari.
Një operacion i ndërlikuar shpëtimi u organizua nga zjarrfikësit e FDNY (Departamenti i Zjarrfikëseve të Nju Jorkut), të cilët përdorën shkallë të posaçme për të hyrë në pusetë.
Kur u nxor nga thellësia, zonja Gocaj ishte pa ndjenja dhe pa shenja jete. Ajo u transportua menjëherë me urgjencë në spital, ku mjekët konfirmuan vdekjen e saj.
