**27-vjeçari lëndohet rëndë pas rënies nga kulmi i një objekti në Babush, transportohet në QKUK**

Një 27-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi ra nga kulmi i një objekti në fshatin Babush, përgjatë magjistrales Ferizaj-Prishtinë. Viktima është transportuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Incidenti ndodhi dje, rreth orës 15:40. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Veseli shpjegoi se pas rënies, personi i lënduar u dërgua fillimisht për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt. Për shkak të natyrës së rëndë të lëndimeve, ai më pas u transferua në QKUK.

Lidhur me rastin, hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ekzaminuar rrethanat e incidentit. Gjithashtu, janë njoftuar edhe inspektorët e punës.

Prokurori i shtetit është njoftuar për të gjitha veprimet policore. Rasti është klasifikuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.