Vizita e Kryeministrit Rama në Tokio: Japonia shpalos mikpritjen kuqezi

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Tokio për një vizitë zyrtare, ku është pritur me një atmosferë të veçantë protokollare. Rrugët kryesore të kryeqytetit japonez janë zbukuruar me flamuj të Shqipërisë dhe Japonisë, duke dëshmuar rëndësinë dhe mikpritjen që i kushtohet kësaj vizite të nivelit të lartë.

Kjo vizitë ka si qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe diplomatik mes Shqipërisë dhe Japonisë. Agjenda e Kryeministrit përfshin takime me autoritetet më të larta japoneze dhe aktivitete të rëndësishme institucionale e ekonomike.

Në kuadër të programit zyrtar, Kryeministri Rama do të pritet me Gardë Nderi nga Kryeministri i Japonisë, z. Fumio Kishida. Pas pritjes, ata do të zhvillojnë një takim bilateral, i fokusuar në forcimin e partneritetit dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha strategjike mes dy vendeve.

Gjithashtu, Kryeministri Rama do të vizitojë Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio. Atje, ai do t’u drejtohet pjesëmarrësve në një panel diskutimi me temë “Rruga e Shqipërisë drejt Anëtarësimit në BE: Roli i Japonisë”. Diskutimi do të shtjellojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë, transformimet globale dhe rolin e të rinjve në zhvillimin e qëndrueshëm.