Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër pas vendimit të Qeverisë në detyrë për të shpërndarë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, punonjësit e sektorit jopublik dhe studentët aktivë.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Muharremi shkruan: “Ja nisi ky me ble vota me para publike e me i manipulu zgjedhjet”.
Në postimin e tij të plotë, Muharremi thekson: “Qysh nuk ju vjen marre aspak? Ky është korrupsion i pastër elektoral dhe abuzim me paranë publike për interesa të një partie në kohë zgjedhjesh.”
Ai shton se, në pamundësi për të qeverisur dhe krijuar mirëqenie, dhe pas krijimit të krizave të shumta, Qeveria tani, nga paniku për ndëshkim në zgjedhje, po shpërndan lëmosha për të blerë votën e qytetarëve që i ka varfëruar, veçanërisht shtresave më të margjinalizuara të shoqërisë.
Analisti argumenton se “fatkeqësisht, 100 euro nuk dalin për asgjë në ditën e sotit, me këto çmime astronomike që janë krijuar nga keqmenaxhimi i energjisë dhe ekonomisë, që ka çuar në inflacion dhe rritje kronike të çmimeve.” Ai thekson se qytetarëve u duhet siguri dhe stabilitet afatgjatë, jo zgjidhje të përkohshme.
Për fund, Muharremi bën thirrje: “Merrini paratë, e ndëshkojini me votë!” duke shtuar se “këta ju kanë marrë e ju kanë varfëruar me mijëra euro; këto 100 euro janë vetëm për t’ju mashtruar për votë.”
