Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në Dublin, ka kërkuar nisjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe shqyrtimin e aplikimit të saj.

Kërkesa u bë në Dublin, Irlandë, gjatë një fjalimi dhe diskutimi në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA), ku Kurti trajtoi temën “Rrugëtimi i Kosovës: nga shtetësia drejt integrimit evropian”, siç njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Kurti theksoi se Kosova, pavarësisht dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati.

“Irlanda është presidenca e tetë që nga ajo kohë dhe ne ende mbetemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati. Aplikimi ynë duhet të vlerësohet dhe ne duhet t’i fillojmë negociatat për anëtarësim. Ne kurrë nuk kemi kërkuar trajtim të veçantë, vetëm trajtim të barabartë,” deklaroi Kurti.

Kryeministri vuri në dukje përparimin e Kosovës në përafrimin e ligjeve, politikave dhe institucioneve me standardet evropiane, që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në vitin 2016. Sipas tij, vendi ka ndërmarrë reforma thelbësore në energji, administratë publike, punësim dhe zhvillim industrial, si dhe ka përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe digjital.

Kurti kërkoi që procesi i integrimit evropian të jetë i drejtë dhe i besueshëm, duke sugjeruar që kontestet dypalëshe të trajtohen veçmas dhe të mos bllokojnë përparimin në fusha të tjera. “Mosmarrëveshjet dypalëshe duhet ta kenë kapitullin e tyre të veçantë në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që një çështje të mos e bllokojë përparimin në të gjitha fushat e tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve,” shtoi ai.

Në fjalimin e tij, Kurti preku edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Irlandës, duke theksuar vlerat e përbashkëta, rëndësinë e diasporës dhe lidhjen historike përmes Nënë Terezës, e cila në moshën 18-vjeçare kishte ardhur në Dublin për t’iu bashkuar Motrave të Loretos. Ai shprehu mirënjohje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Irlanda në vitin 2008, pikërisht në muajin kur Kosova shpalli pavarësinë.

Lidhur me zhvillimet e brendshme, Kurti përmendi progresin demokratik, rritjen ekonomike dhe reformat e ndërmarra. Ai theksoi se ekonomia e Kosovës gjatë kësaj dekade është rritur mesatarisht me mbi katër për qind në vit, pavarësisht pandemisë, krizës energjetike dhe inflacionit global.

Duke iu referuar sigurisë, Kurti kujtoi sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, si dhe atë ndaj infrastrukturës kritike në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024. Ai theksoi se këto sulme dëshmojnë qasjen agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare. “Përgjegjësia është thelbësore jo vetëm për drejtësinë, por edhe për parandalimin e sulmeve të ardhshme,” deklaroi Kurti.

Kryeministri përsëriti synimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke theksuar harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën.

Në përfundim, Kurti shprehu pritjen që Irlanda, gjatë dhe pas presidencës së saj të Këshillit të BE-së, të mbështesë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit.