Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetime për rrethanat e vdekjes së një 43-vjeçareje, e cila humbi jetën gjatë transportit nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë drejt Spitalit Rajonal në Pejë. Për këtë qëllim, autoritetet kanë autorizuar Policinë e Kosovës të sigurojë të gjithë dokumentacionin mjekësor relevant.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se, përveç mbledhjes së dosjes mjekësore, do të intervistohet edhe stafi mjekësor i përfshirë në trajtimin e pacientes, si dhe dëshmitarët e pranishëm.

Trupi i pajetë i gruas është dërguar menjëherë në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

Sipas një njoftimi nga QKMF-ja në Klinë, gjendja shëndetësore e pacientes ishte përkeqësuar pas marrjes së terapisë, duke shfaqur më pas një reaksion alergjik.

Rasti është iniciuar me cilësimin penal “Hetim i vdekjes”.