Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë ka dhënë sqarime lidhur me vdekjen e një pacienteje, gjendja shëndetësore e së cilës u përkeqësua pas marrjes së trajtimit aty. Dyshohet se vdekja erdhi si pasojë e një reaksioni alergjik pas marrjes së një infuzioni.

Përmes një njoftimi, QKMF ka bërë të ditur se pacientja fillimisht kishte marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion. Pas kësaj terapie, dyshohet se ajo shfaqi reaksion alergjik.

Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja u transferua me ambulancë drejt Spitalit Rajonal në Pejë, e shoqëruar nga mjeku dhe infermieri.

Për të përshpejtuar transportin, për shkak të ngarkesës në trafik, ishin angazhuar edhe njësitë policore të Klinës.

“Gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë pacientja është intubuar. Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë”, theksohet në njoftimin e QKMF-së.

QKMF në Klinë thekson se rasti është aktualisht nën hetim nga institucionet kompetente.

“QKMF do të bashkëpunojë me organet përkatëse dhe do të ofrojë të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar. Duke respektuar ndjeshmërinë e rastit, dinjitetin e pacientes dhe privatësinë e familjes, QKMF nuk do të komentojë më tej gjatë zhvillimit të hetimit dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim relevant”, përfundon njoftimi.