**Deputetja Nagavci dënon ashpër gjuhën fyese të Zemajt në Parlament**

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ashpër ndaj gjuhës dhe sjelljes së deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës. Nagavci theksoi se fyerjet dhe agresiviteti nuk kanë vend në institucionet e vendit, e as në shoqëri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nagavci e cilësoi sjelljen e Zemajt si të papranueshme, duke nënvizuar se kjo nuk është hera e parë që ai shfaq veprime të tilla. Ajo i konsideroi ato si dëshmi të mungesës së kulturës së debatit, edukatës dhe respektit për mendimin ndryshe.

Sipas saj, një gjuhë e tillë përcjell një mesazh të gabuar dhe jep një shembull negativ, sidomos për brezat e rinj, duke rrezikuar normalizimin e fyerjes dhe agresivitetit si pjesë e debatit politik.

Nagavci, në reagimin e saj, theksoi se: “Gjuha dhe sjellja e përdorur nga deputeti Armend Zemaj janë të papranueshme dhe nuk kanë vend jo vetëm në një institucion ku duhet të mbizotërojnë argumenti, përgjegjësia dhe respekti, por askund.”

Ajo vuri në pah edhe aspektin gjinor, duke deklaruar se “përkushtimi i secilës grua për të përfaqësuar qytetarët, për të mbrojtur qëndrimet e saj dhe për të ushtruar përgjegjësitë institucionale nuk mund të cenohet nga fyerjet apo përpjekjet për frikësim.” Dhe shtoi prerazi: “Më vjen keq për atë që është e çfarë përfaqëson, por nuk na ndal e as na intimidon. Jo me fjalë fyese, jo me shpifje, jo me sulme rrugaçërie. Gratë në politikë nuk kanë nevojë për lejen e askujt për ta ngritur zërin, për të mbajtur qëndrime dhe për të ushtruar mandatin e tyre me dinjitet.”

Në përfundim, deputetja bëri thirrje që debati politik të zhvillohet përmes argumenteve dhe jo përmes fyerjeve, shpifjeve apo sulmeve personale.