Policia e Kosovës ka hartuar dhe po zbaton një plan operativ sigurie për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit, ‘Liga e Kombeve’, mes Kosovës dhe Izraelit. Ndeshja luhet sot në orën 15:00 në Prishtinë.

Që nga ardhja e ekipit mysafir në Kosovë, Policia ka zbatuar këtë plan duke marrë masa sigurie, përfshirë shoqërimin dhe mbrojtjen e ekipit dhe stafit gjatë lëvizjeve të tyre.

Këto masa sigurie do të vazhdojnë edhe sot, ditën e ndeshjes. Gjatë lëvizjes së eskortave, do të ketë kufizime apo ndërprerje të përkohshme të trafikut rrugor, ndaj Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

Policia e Kosovës do të vazhdojë aktivitetet e saj në këtë drejtim, në koordinim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes.

Me këtë rast, Policia përsërit thirrjen e FFK-së që shikuesit të paraqiten me kohë në stadium, të shmangin marrjen me vete të sendeve të palejuara apo të rrezikshme, dhe të posedojnë biletat bashkë me dokumentet identifikuese gjatë hyrjes.

“Policia e Kosovës, në bazë të detyrave dhe autorizimeve ligjore, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e çdo incidenti të mundshëm. Policia do të bashkëpunojë ngushtë me FFK-në dhe kompanitë e sigurisë. Si gjithmonë, falënderojmë qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në interes të sigurisë së përgjithshme, dhe i ftojmë ata që për çdo informacion apo rast të kontaktojnë Policinë në numrin 192”, thuhet në njoftimin e Policisë.