Real Madridi siguron përforcimin e parë për sezonin e ardhshëm: Latif Issman

Real Madridi ka zyrtarizuar përforcimin e parë për sezonin e ardhshëm, duke shtuar në radhët e veta mesfushorin e talentuar ganez, Latif Issman. Ai do të bashkohet me ekipin e dytë të klubit, Castillan, gjatë verës së vitit të ardhshëm, për të filluar përgatitjet për sezonin 2025/26.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, përfshirë ‘Marca’, 19-vjeçari, i cili aktualisht luan te UD Logroñés, ka arritur marrëveshje me Real Madridin dhe ka nënshkruar kontratën.

Issman ka spikatur me paraqitjet e tij në Ligën e Tretë Spanjolle, ku është vlerësuar për fuqinë fizike, energjinë dhe aftësinë për të mbuluar hapësira të mëdha në mesfushë.

Ai do ta përfundojë sezonin aktual te UD Logroñés, përpara se të transferohet në Madrid gjatë verës së vitit të ardhshëm.

Kjo lëvizje konfirmon vazhdimësinë e strategjisë së Real Madridit për të investuar te futbollistët e rinj. Klubi synon t’i zhvillojë ata fillimisht përmes ekipit të dytë, Castillas, me shpresën që në të ardhmen të sigurojnë një vend në skuadrën e parë.