Talenti nga Presheva, Lutfi Dalipi, refuzon Zvicrën dhe zgjedh Kosovën

Futbollisti i talentuar 20-vjeçar nga Presheva, Lutfi Dalipi, ka marrë vendimin përfundimtar për të përfaqësuar Kombëtaren e Kosovës. Ky hap vjen pas refuzimit të mundësisë për t’u bërë pjesë e ekipit U21 të Zvicrës.

Dalipi, i cili më herët ishte në vëmendje edhe të Shqipërisë, ka zgjedhur projektin e përfaqësueses kosovare dhe pritet t’i bashkohet skuadrës në muajin mars, siç raporton Indeksonline.

Dalipi po zhvillon një sezon mjaft të mirë në futbollin zviceran, ku deri tani ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë nëntë asistime, si dhe ka realizuar 36 driblime të suksesshme.

Gjithashtu, talenti nga Presheva pritet të jetë i pranishëm të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të ndjekë nga afër ndeshjen e Kosovës kundër Izraelit.

Zgjedhja e tij për Kosovën konsiderohet një përforcim potencial i rëndësishëm për të ardhmen e kombëtares kosovare.