Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE: Kosova përballet me ndikime thelbësore politike, ekonomike dhe të sigurisë
Brenda pak vitesh, kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) mund të transformohen në kufij të Kosovës me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kjo perspektivë bëhet gjithnjë e më konkrete, ndërsa Tirana dhe Podgorica shënojnë progres të dukshëm në procesin e anëtarësimit, ndryshe nga Kosova, e cila ngec në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Një situatë e tillë pritet të ketë ndikime të konsiderueshme në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, në sfidat për bizneset kosovare dhe në bashkëpunimin rajonal të sigurisë, siç vlerësojnë ekspertët.
Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 23 nga 33 kapitujt e negociatave dhe Komisioni Evropian vlerëson se mund t’i përmbyllë të gjithë deri në fund të vitit 2026. Shqipëria, ndërkaq, ka mbyllur 4 nga 33 kapitujt dhe ka hapur grupin e fundit të kapitujve. Ajo synon t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027.
Në anën tjetër, Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022 dhe ende pret të marrë statusin e vendit kandidat. Raporti i fundit i Komisionit Evropian vë në dukje ngecjen e reformave në Kosovë, në kontekstin e krizës së zgjatur institucionale. Kjo krizë u karakterizua nga vështirësitë në formimin e Kuvendit dhe institucioneve, si dhe nga mbajtja e tri palë zgjedhjeve parlamentare brenda një periudhe rreth njëvjeçare.
Ekspertë të integrimeve evropiane, të ekonomisë dhe të sigurisë theksojnë se Kosova duhet të përgatitet për anëtarësimin eventual të Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE. Sipas tyre, këto zhvillime mund të ndikojnë në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, të krijojnë kushte të reja për bizneset kosovare dhe të ndryshojnë bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë.
**Hendeku me fqinjët në integrim dhe siguri**
Progresi i Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE mund ta thellojë distancën politike të Kosovës nga fqinjët e saj, por edhe të krijojë dallime në bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë.
Tefta Kelmendi, hulumtuese në institutin evropian Jacques Delors, vlerëson se Kosova tashmë ka mbetur prapa vendeve fqinje, si pasojë e krizës politike dhe mungesës së përparimit në dialogun me Serbinë. “Duke pasur parasysh përparimin e shteteve fqinje në katër vitet e fundit dhe, në krahasim me to, ngecjen e Kosovës si pasojë e krizës politike në vend dhe mungesës së avancimit në dialogun me Serbinë, e cila ka ndikuar si në procesin e integrimit evropian, ashtu edhe në marrëdhëniet diplomatike me institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së, është krijuar një distancë e konsiderueshme që do të jetë e vështirë të kapërcehet në të ardhmen e afërt”, shprehet Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, nëse Mali i Zi dhe Shqipëria anëtarësohen në BE brenda katër vjetësh, Kosova mund të përballet me presion më të madh të brendshëm për përshpejtimin e integrimit evropian. Ky zhvillim, megjithatë, siç vlerëson Kelmendi, mund të ketë edhe ndikim pozitiv, duke rikthyer besimin e qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë në perspektivën evropiane.
Kelmendi shton se Prishtina duhet të angazhohet për përshpejtimin e reformave të brendshme, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe diplomaci, si dhe për tejkalimin e pengesave politike në rrugëtimin e saj integrues në BE. Ajo thekson se një qasje e mençur strategjike do të ishte që Kosova të angazhohej sa më parë dhe intensivisht në heqjen e pengesave politike ndaj avancimit të saj në procesin e integrimit, përfshirë çështjen e mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, gjë që do të mundësonte zhbllokimin e kandidaturës në Këshillin e Evropës.
Hendeku me fqinjët nuk kufizohet vetëm në procesin politik të integrimit. Jeta Loshaj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), vlerëson se hendeku me fqinjët mund të thellohet edhe në fushën e sigurisë, ku Kosova tashmë ka një pozitë më të pafavorshme në raport me hyrjen në mekanizmat evropianë të bashkëpunimit. Aktualisht, Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka marrëveshje operacionale me Europolin. Marrëveshja aktuale e punës, e vitit 2020, nuk mundëson shkëmbimin e të dhënave personale, ndonëse bashkëpunimi praktik është rritur.
“Pasi fqinjët të jenë brenda BE-së, kjo pabarazi do të thellohet”, thotë Loshaj për REL. Sipas saj, kjo pabarazi me vendet fqinje brenda BE-së mund të krijojë vështirësi për Kosovën në luftimin e krimit të organizuar dhe kërcënimeve të tjera ndërkufitare. Ajo shton se grupet kriminale e trajtojnë rajonin si një hapësirë të vetme dhe shfrytëzojnë vendet ku kontrollet dhe shkëmbimi i informatave janë më të dobëta. “Nëse fqinjët tanë janë plotësisht të integruar (në BE) e Kosova jo, mund të krijohet një zonë gri që shfrytëzohet për trafikim, kontrabandë dhe migrim të parregullt”, thekson Loshaj.
Gjithashtu, sipas saj, anëtarësimi eventual i Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE do të sjellë rregulla dhe standarde të këtij blloku në menaxhimin e kufijve, kontrolle më strikte dhe më shumë përfshirje të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex).
Kelmendi shton se anëtarësimi eventual i Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE do të ndihet në raport me Kosovën në kërkesat shtesë që ka blloku për lëvizjen e lirë të qytetarëve. “Për të kaluar kufirin dhe për t’iu qasur pronave personale apo për të vizituar familjarët në këto dy shtete, qytetarët e Kosovës do të duhej të udhëtojnë me pasaportë të vlefshme, të paguajnë sigurim të veçantë për automjetet që hyjnë në BE dhe do të përballen me kufizime në kohëzgjatjen e qëndrimit”, thekson Kelmendi. Kjo do të ndikojë veçanërisht në mënyrën se si qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë e Malit të Zi do të kalojnë në territorin e njëri-tjetrës. Aktualisht, kjo mundësohet me letërnjoftime biometrike.
Loshaj sqaron se marrëveshjet ekzistuese rajonale për lëvizjen me letërnjoftime nuk shuhen automatikisht me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE. Sipas saj, ndikimi më i madh në lëvizjen e njerëzve do të ndihej nëse këto dy vende do të hynin edhe në zonën Shengen, pasi kjo nuk ndodh njëkohësisht me anëtarësimin në BE dhe zakonisht kërkon edhe disa vite. “Çfarë do të ndodhë me pikat e përbashkëta kufitare dhe sa do të zgjasin pritjet në verë? Liberalizimi i vizave e ka zbutur shumë këtë rrezik, por Kosova duhet t’i adresojë këto çështje që tani, në mënyrë që kufiri të mos bëhet pengesë për njerëzit”, thotë Loshaj.
**Nga CEFTA te tregu i BE-së: sfida për eksportuesit kosovarë**
Në rast se Shqipëria dhe Mali i Zi anëtarësohen në Bashkimin Evropian para Kosovës, marrëdhëniet e tyre tregtare me Kosovën do të zhvillohen në një kornizë të re rregulloreje. Gazmend Qorraj, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se ky ndryshim do të sillte një transformim strukturor në marrëdhëniet tregtare ndërmjet këtyre vendeve. “Praktikisht, me hyrjen në BE, Shqipëria dhe Mali i Zi do të jenë të detyruara të aplikojnë Politikën e Përbashkët Tregtare të BE-së dhe automatikisht do të largohen nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA)”, thotë Qorraj. Sipas tij, tregtia me Kosovën do të mbështetej në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), të cilën Kosova e ka në fuqi që nga viti 2016.
Qorraj vlerëson se një nga sfidat kryesore për eksportuesit kosovarë do të jenë barrierat jotarifore, që lidhen me standardet dhe kërkesat e tregut evropian. “Eksportuesit që kanë tashmë përvojë tregtare me vendet e BE-së do ta kenë më të lehtë të përshtaten, ndërsa për ata që nuk e kanë këtë përvojë, ky tranzicion do të përbëjë një sfidë të re, për shkak të kërkesave dhe rregulloreve më strikte të tregut të BE-së krahasuar me tregun rajonal të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.
Përshtatja me kërkesat e tregut të BE-së do të ishte veçanërisht e vështirë për bizneset e vogla dhe të mesme, vlerëson Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. “Edhe pse një pjesë e vogël e kompanive të mëdha eksportuese (sidomos në sektorin e përpunimit të drurit, plastikës dhe IT-së) kanë arritur të certifikohen për tregun e BE-së, shumica dërrmuese e ndërmarrjeve të vogla e të mesme nuk kanë mundësi financiare dhe teknike për të bërë këtë tranzicion brenda një kohe të shkurtër”, thotë ai.
Rafuna paralajmëron se, nëse Shqipëria dhe Mali i Zi anëtarësohen në BE, eksportuesit kosovarë do të përballen me kërkesa të rrepta fitosanitare e veterinare, si dhe me standardet e cilësisë së BE-së. Sipas tij, mungesa e informacionit dhe kapacitetet e kufizuara laboratorike në Kosovë për testimin e produkteve mund t’ua vështirësojnë bizneseve përmbushjen e këtyre kërkesave dhe t’ua dobësojnë konkurrueshmërinë në të dyja tregjet. “Ndër sektorët më të ekspozuar janë agrobiznesi dhe përpunimi i ushqimit, prodhuesit e materialeve të ndërtimit, si dhe sektori i transportit dhe logjistikës”, thekson Rafuna. Ai shton se kontrollet dhe procedurat shtesë doganore në kufi mund të shkaktonin vonesa dhe t’ua rrisnin kostot transportuesve kosovarë.
**Si duhet të përgatitet Kosova?**
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës për të marrë qëndrimin e saj lidhur me pasojat e mundshme politike, ekonomike dhe të sigurisë nga anëtarësimi i mundshëm i Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE, përfshirë ndikimin në lëvizjen e qytetarëve, bashkëpunimin ndërkufitar dhe marrëdhëniet tregtare. Gjithashtu, REL-i kërkoi të dijë se çfarë masash konkrete po planifikon Qeveria për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe për të avancuar integrimin evropian të vendit. Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria nuk u është përgjigjur pyetjeve.
Të gjithë ekspertët e intervistuar, nga këndvështrime të ndryshme, theksojnë nevojën që Kosova të përgatitet për ndryshimet që mund të sjellë anëtarësimi i Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE. Ata kërkojnë angazhim më të madh të institucioneve, marrëveshje me dy vendet fqinje dhe masa për të ndihmuar bizneset kosovare të përshtaten me kërkesat e reja.
Kelmendi thotë se për të kompensuar kohën e humbur për shkak të krizës politike dhe problemeve në dialogun me Serbinë, Kosova duhet të përshpejtojë përpjekjet për zhbllokimin e kandidaturës për anëtarësim në BE. Ndërkaq, për të çuar përpara reformat e brendshme që do t’ia mundësonin integrimin në tregun e përbashkët evropian, sipas saj, Kosova mund ta shfrytëzojë mbështetjen financiare të BE-së. “BE-ja tashmë e ka krijuar kuadrin për t’i ndihmuar vendet kandidate të avancojnë në këtë drejtim, përmes Planit të Rritjes dhe Reformave dhe mjeteve financiare që e mbështesin atë. Tani mbetet që Qeveria e Kosovës të angazhohet politikisht në këtë proces dhe ta vendosë atë në listën e prioriteteve kryesore”, thekson Kelmendi.
Në fushën e sigurisë, Loshaj vlerëson se Prishtina duhet të negociojë me Tiranën dhe Podgoricën marrëveshje dypalëshe për sigurinë dhe kontrollin kufitar para anëtarësimit të tyre. “Këto marrëveshje duhet të përfshijnë patrullime të përbashkëta, pika të përbashkëta kontakti, pika të përbashkëta kufitare dhe shkëmbim informacionesh. Ato duhet të hartohen sipas standardeve të BE-së, që të mbeten të vlefshme edhe pas anëtarësimit”, thotë Loshaj. Sipas saj, Kosova mund ta thellojë bashkëpunimin me Europolin në luftimin e krimit, me Frontex-in në menaxhimin e kufijve dhe me Eurojust-in në bashkëpunimin gjyqësor për çështjet penale, pa cenuar çështjen e statusit të saj. Loshaj shton se Kosova duhet të forcojë mbrojtjen e të dhënave, integritetin e kontrollit kufitar dhe kapacitetet e Policisë së Kosovës. Rezultatet konkrete në këto fusha do të dëshmonin gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar dhe do ta ndihmonin të kërkonte përfshirje graduale në operacionet e sigurisë të BE-së.
Për përgatitjen e bizneseve, Qorraj kërkon angazhim paraprak të institucioneve publike dhe shoqatave të biznesit. “Institucionet publike dhe shoqatat e bizneseve duhet të përgatisin paraprakisht bizneset vendore përmes informimit dhe trajnimeve të fokusuara në standardet e BE-së”, thotë Qorraj. Përveç informimit dhe trajnimeve, Qorraj vlerëson se institucionet dhe shoqatat e biznesit duhet t’u kushtojnë vëmendje të posaçme eksportuesve që nuk kanë përvojë me tregun e BE-së, në mënyrë që ata të përgatiten për kërkesat dhe rregulloret më të rrepta të këtij tregu.
Rafuna konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë masa konkrete, përfshirë subvencionimin e certifikimit dhe standardizimit të produkteve, investimet në laboratorët vendorë dhe negociimin e protokolleve të veçanta tregtare me Shqipërinë dhe Malin e Zi. “Duhet të punohet në drejtim të një marrëveshje tranzitore me Shqipërinë dhe Malin e Zi: Qeveria duhet të negociojë që nga tani protokolle të veçanta tregtare apo ‘korridore të gjelbra’ tranzitore për periudhën pas anëtarësimit të tyre, me qëllim që të lehtësohen procedurat doganore për produktet me origjinë nga Kosova”, thekson Rafuna. Ai gjithashtu sugjeron që Qeveria të krijojë një fond që do të subvenciononte deri në 70 për qind të kostove të certifikimit të produkteve. Sipas Rafunës, mbështetja financiare do t’u ndihmonte bizneseve, veçanërisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të përmbushnin standardet e kërkuara për tregun evropian.
