Pesë persona, përfshirë dy të mitur, janë arrestuar nën dyshimin se kanë shpërndarë materiale me përmbajtje abuzimi seksual ndaj fëmijëve.
Aksioni policor u zhvillua në Pejë, Rahovec, Malishevë dhe Fushë Kosovë.
Sipas Policisë së Kosovës, të dyshuarit kanë shpërndarë materialet e ndaluara përmes rrjeteve sociale.
Gjatë bastisjeve, policia konfiskoi dy laptopë dhe tre telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën hetimore.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, njëri prej të dyshuarve është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa katër të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, dy prej të cilëve të mitur, janë identifikuar dhe arrestuar pas një pune hetimore, pasi kishin shkarkuar dhe shpërndarë materiale të tilla nëpërmjet rrjeteve sociale. Ajo shtoi se si prova materiale janë konfiskuar dy laptopë dhe tre telefona celularë. Njëri prej të dyshuarve mbetet në mbajtje për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
