Luka Modriç: E dua Milanin, dua të fitoj një trofe këtu
Mesfushori kroat, Luka Modriç, ka shprehur dashurinë e tij për klubin e Milanit dhe dëshirën e flaktë për të fituar një trofe me fanellën kuqezi. Legjenda kroate është deklaruar i gatshëm për ndeshjen vendimtare të së dielës kundër Cagliarit, që mund të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve, pavarësisht se po rikuperohet nga një frakturë në mollëzën e fytyrës.
Në një intervistë për “Sport Mediaset”, e transmetuar nga “TuttoMercatoWeb”, 38-vjeçari, kontrata e të cilit mbyllet më 30 qershor, shmangu me kujdes pyetjet rreth të ardhmes së tij, por theksoi qartë lidhjen e fortë me klubin.
“Jam shumë i lumtur në Milano, por gjëja më e rëndësishme tani është ndeshja kundër Cagliarit të dielën dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve,” tha Modriç. “Sa i përket të ardhmes, do të shohim. Kam marrëdhënie shumë të mira me klubin, drejtuesit dhe trajnerin.”
Kur u pyet për dëshirën e tij për të kontribuar edhe pas këtij sezoni, Modriç u shpreh prerë: “Kur zgjodha Milanin, ishte për të ndihmuar dhe për të provuar të fitonim. Këtë vit nuk ndodhi, por është e qartë se do të doja të fitoja një trofe me Milanin.”
Ky koment ka rritur shpresat e tifozëve kuqezi se kroati mund të qëndrojë edhe një sezon tjetër, sidomos duke marrë parasysh kënaqësinë e tij me jetën në qytet.
“Është një qytet spektakolar, e dua,” u shpreh ai. “Ushqimi është fantastik, pasta është pjata ime e preferuar dhe qyteti është afër maleve, detit dhe liqenit.”
Për gjendjen e tij fizike, Modriç dha shenja optimizmi: “Ndihem mirë dhe po përmirësohem fizikisht. Jam rikthyer në stërvitje me ekipin dhe tashmë po mësohem me maskën mbrojtëse. Jam gati të rikthehem. Kam shumë dëshirë të luaj përsëri.”
I pyetur nëse mund të bëhej një ditë ndihmës-trajner, duke iu referuar një mundësie me Massimiliano Allegri, Modriç dha një përgjigje të ngrohtë, por pa u zotuar. “Kam një marrëdhënie të mirë me të, por nuk kemi folur për këtë. Unë ende e dua futbollin si lojtar. Kur të pensionohem do të mendoj për këtë, dhe kur do të pensionohem? Nuk e di, ta shohim pas së dielës.”
