**Achraf Hakimi: Maroku synon të tejkalojë suksesin historik të Katar 2022**

Ylli i kombëtares marokene, Achraf Hakimi, ka shprehur besimin se ekipi i tij do të performojë edhe më mirë në Kupën e Botës 2026, duke kaluar suksesin historik të arritur në Katar 2022.

Maroku ishte befasia e madhe e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, duke u bërë kombëtarja e parë afrikane dhe arabe që arrin në gjysmëfinale. Aty, ata u mposhtën nga Franca, ndërsa më pas humbën edhe ndeshjen për vendin e tretë ndaj Kroacisë.

Hakimi, një prej futbollistëve kyç të Marokut, thekson se objektivi i skuadrës është të shkojë edhe më larg se në edicionin e fundit. “Pse të mos bëjmë edhe më mirë se në Katar dhe të shkojmë sa më larg? Ky është objektivi ynë!”, deklaroi mbrojtësi i Paris Saint-Germain.

“Jemi gati të arrijmë gjëra të mëdha në këtë Botëror. Ne jemi ata që vendosim kufijtë tanë!”, shtoi ai. Sipas Hakimit, Maroku rritet dhe konkurron me kombet e mëdha falë performancave në fushë dhe asaj që ofron në turnetë e rëndësishëm.

Ai vuri në dukje edhe rëndësinë e gjeneratës së re, e cila mbërrin në kombëtare me një etje të madhe për sukses. “Falë tyre, ne i shtyjmë kufijtë tanë edhe më tej. Objektivi ynë është i qartë: të shkruajmë historinë e futbollit!”, përfundoi Hakimi. /IndeksOnline/