Pep Guardiola i ka bërë të ditur qartë Enzo Marescës se Phil Fodenin nuk mund ta shesë me asnjë çmim, madje as për shifrën marramendëse prej 500 milionë eurosh.

Guardiola do të largohet nga pozicioni i trajnerit të Manchester Cityt pas ndeshjes së fundit të sezonit në Premier League, kundër Aston Villas, të dielën. Më pas, ai do të marrë një pushim nga detyra e trajnerit. Ai pritet të zëvendësohet nga ish-ndihmësi i tij te City, Enzo Maresca.

Përveç 20 trofeve të fituar gjatë një dekade të shkëlqyer suksesi, trashëgimia e Guardiolës do të përfshijë edhe zhvillimin e një sërë talentesh të rinj, ndër të cilët spikat Phil Foden.

Guardiola e kishte identifikuar mesfushorin sulmues të akademisë si një yll të së ardhmes shumë kohë përpara se ai të integrohej në ekipin e parë, duke e konsideruar pasardhësin e legjendës së Cityt, David Silva.

Madje, ai kishte deklaruar prerazi se talentin anglez, atëherë ende adoleshent, nuk do ta shiste as për 500 milionë euro.