Lionel Messi i është bashkuar Cristiano Ronaldos në klubin elitar të sportistëve miliarderë, pasi pasuria e tij neto ka tejkaluar shifrën prej 1 miliard dollarësh.
Sipas një analize të Bloomberg, ylli i Inter Miamit dhe kombëtares argjentinase ka grumbulluar mbi 700 milionë dollarë nga paga dhe bonuset që prej vitit 2007. Pas llogaritjes së taksave, investimeve, sponsorizimeve dhe burimeve të tjera të ardhurash, pasuria e tij vlerësohet tashmë mbi pragun e 1 miliard dollarëve.
Ky sukses financiar e vendos Messin përkrah rivalit të tij të përjetshëm, Cristiano Ronaldos, i cili ishte futbollisti i parë që arriti këtë status pas transferimit te Al-Nassr në vitin 2023.
Një rol kyç në rritjen e pasurisë së Messit ka luajtur kalimi te klubi i Inter Miamit. Pavarësisht ofertave financiare dukshëm më të larta nga Arabia Saudite, argjentinasi zgjodhi MLS-në, ku përveç një page të lartë, përfiton edhe nga marrëveshje me opsione aksionesh dhe të ardhura nga partneritete mediatike.
Messi ka zgjeruar gjithashtu portofolin e tij të investimeve jashtë fushës së futbollit, duke përfshirë pasuri të paluajtshme, hotele luksoze, restorante dhe produkte konsumi. Ai ka lançuar pijen sportive “Mas+ by Messi” dhe ka investuar në zinxhirin argjentinas të restoranteve “El Club de la Milanesa”.
Ndërkohë që karriera e tij sportive i afrohet fundit, tetë herë fituesi i “Topit të Artë” po ndërton një bazë të qëndrueshme biznesi për të ardhmen. Messi ka deklaruar se futbolli ka një afat të caktuar, ndërsa bota e biznesit është një fushë që ai po e zbulon dhe e tërheq gjithnjë e më shumë.
