Sulm Kibernetik në Kroaci: Faqja e Ministrisë së Punës Shfaq Mesazhin “Rroftë Serbia e Madhe”
Faqja zyrtare e Ministrisë kroate të Punës, Sistemit të Pensioneve, Familjes dhe Politikës Sociale ka rënë pre e një sulmi kibernetik. Në portalin e saj u shfaq mesazhi provokues: “Vdekje ustashëve, Rroftë Serbia e Madhe”.
Përgjegjësinë për këtë ndërhyrje të paautorizuar e mori grupi i njohur si “INF Group”. Si pasojë e incidentit, faqja kryesore e ministrisë është bërë pjesërisht e paarritshme për publikun.
Mediat kroate raportuan se mesazhi u shfaq dje, ndërsa lidhjet e vendosura në faqe të drejtonin drejt një kanali në Telegram, i krijuar vetëm pak ditë më parë. Megjithatë, asnjë detaj shtesë mbi sulmin nuk është publikuar në këtë kanal.
Ky incident ndodh në një periudhë të ndjeshme për sigurinë kibernetike në Evropë. Së fundmi, u raportua edhe një sulm tjetër hakerash ndaj infrastrukturës së Komisionit Evropian, ku dyshohet se janë komprometuar të dhëna të rëndësishme.
Mediumi kroat Index.hr bëri me dije se ka kontaktuar ministrinë për të marrë një reagim zyrtar lidhur me rastin. Por, deri më tani, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga autoritetet kompetente.
