QKSGj: Ekonomia e Kujdesit në Kosovë, e Nënfinancuar dhe Barrë e Rëndë për Gratë

**Prishtinë** – Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e studimit të saj bazë për ekonominë e kujdesit të përgjegjshëm gjinor në Kosovë, në kuadër të konferencës përmbyllëse të projektit “TransformCare”. Raporti nxjerr në pah se ky sektor mbetet i fragmentuar dhe i nënfinancuar, ndërsa barra kryesore e punës së papaguar vazhdon të mbartet nga gratë, duke ndikuar ndjeshëm në pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës dhe mirëqenien ekonomike.

Luljeta Demolli, drejtoresha ekzekutive e QKSGj-së, theksoi se raporti ofron indikatorë kyç për zhvillimin e vendit dhe kërkon reforma të thella në sektorin e kujdesit. Ajo u shpreh se gratë angazhohen diku 300% më shumë në kujdesin familjar – për të moshuar, fëmijë dhe menaxhim shtëpie – dhe se është e domosdoshme që shteti t’i lehtësojë nga kjo barrë e madhe përmes reformave thelbësore, e jo vetëm me masa afatshkurtra.

Vlora Tuzi-Nushi, shefe e zyrës së UN Women në Kosovë, vuri në dukje se ekonomia e kujdesit duhet parë si një mundësi për investime publike dhe zhvillim ekonomik, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për adresimin e këtyre çështjeve.

Edhe Stephen O’Malley, koordinatori për zhvillim i OKB-së në Kosovë, vlerësoi raportin si një dokument thelbësor. Ai citoi një pjesë të raportit që theksonte se modeli aktual i kujdesit në Kosovë është i ankoruar në një paradigmë të mirëqenies sociale, ku shërbimet trajtohen si ndërhyrje reziduale për të reduktuar cenueshmërinë, dhe jo si investime strategjike në zhvillimin ekonomik dhe kapitalin njerëzor. Për OKB-në, zhvillimi i kapitalit njerëzor është një prioritet kyç për të krijuar një shoqëri ku çdokush mund të arrijë potencialin e tij të plotë.

Hulumtuesja Lavdi Zymberi nga QKSGj shpjegoi se ekonomia e kujdesit përbëhet nga sektori formal (i paguar), kujdesi i papaguar (kryesisht në shtëpi nga familjarët) dhe politikat mbështetëse sociale. Ajo paraqiti të dhëna alarmante: Burrat kalojnë 400% më shumë kohë në punësim se gratë (3.9 orë kundrejt 0.9 orë), ndërsa gratë kalojnë 300% më shumë kohë se burrat në punë të shtëpisë dhe kujdes. Mesatarisht, gratë kalojnë 4.9 orë në ditë në punë kujdesi të papaguar, ose 44% më shumë se burrat (2.7 orë). Në total, gratë shpenzojnë 94 ditë në vit (2263 orë) në këtë lloj pune, krahasuar me 55 ditë (1314 orë) për burrat. Këto shifra tregojnë se gratë mbajnë 65 deri 75% të barrës së punës së papaguar të kujdesit dhe punëve të shtëpisë.

Ndër gjetjet kryesore të raportit u theksua se sistemi i kujdesit është i fragmentuar, i nënfinancuar dhe pjesërisht funksional për shkak të mosfinalizimit të akteve nënligjore dhe zbatimit të dobët të legjislacionit ekzistues. Gjithashtu, ekzistojnë boshllëqe të mëdha në shërbimet për fëmijë (nën standardet evropiane) dhe për të moshuarit (shumë të kufizuara, me mungesë të dhënash për sektorin e kujdesit afatgjatë). Pasoja kryesore e kësaj barre të papaguar mbi gratë është pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, gjë që çon në varfëri ekonomike dhe mungesë kohe për zhvillim personal.

Agon Dobruna, zëvendësministër në detyrë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, vlerësoi bashkëpunimin me shoqërinë civile. Ai njoftoi se në planprogramin e ardhshëm qeverisës janë paraparë investime në strehimore, banim të përballueshëm për çiftet e reja dhe banim social për familjet në nevojë, duke synuar lehtësimin e barrës financiare dhe sociale.