Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë serisë së diskutimeve “Hajde Folim”, premtoi investime kapitale të mëdha, “të padëshmuara në 27 vitet e fundit” në Kosovë.

Abdixhiku u pyet nga një i ri rreth planeve të tij, në rast ardhjeje në krye të qeverisë, për të frenuar largimin e të rinjve nga vendi.

Kandidati i LDK-së e cilësoi këtë si një prej problemeve më thelbësore me të cilat po përballet Kosova prej kohësh. Sipas tij, është e domosdoshme të veprohet me shpejtësi dhe të bëhen investime masive.

“Nëse humbim të rinjtë tanë, pasurinë më të madhe kombëtare, do të kemi dështuar si komb,” theksoi Abdixhiku. “Duhet të veprojmë shpejt, dhe kjo shpejtësi veprimi nënkupton investime kapitale që Kosova s’i ka njohur në 27 vitet e fundit. Kemi nevojë për shumë investime dhe ka fusha të shumta ku mund të investohet; në çdo sektor mund të bëhen ndërhyrje dhe zhvillime.”

Këto deklarata, Abdixhiku i bëri në një video të publikuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook.