**Fatmir Limaj: Tensionet politike tejkalojnë polarizimet e së kaluarës, kjo gjuhë po shpërblehet**
Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shprehur shqetësimet e tij në emisionin “Pressing” të T7, në lidhje me polarizimin aktual në skenën politike.
Limaj theksoi se më parë, politika kishte emancipuar votuesin, i cili nuk e toleronte gjuhën fyese apo ofendimet. Megjithatë, sipas tij, situata ka ndryshuar dhe tani krijohet përshtypja se votuesi kërkon politikanë që përdorin një gjuhë denigruese dhe që janë më tërheqës për vëmendjen e publikut.
“Kurrë nuk kam besuar se votuesi kosovar, i emancipuar nga politika, do të arrinte në këtë pikë. Më kujtohet një kohë kur votuesi nuk e pëlqente sharjen dhe kjo ndihmoi emancipimin politik të Kosovës,” tha Limaj. Ai shtoi se “ajo që shoh unë i tejkalon polarizimet e së kaluarës, tani krijohet përshtypja se votuesi kosovar po e kërkon këtë polarizim. Je atraktiv për votuesin sot nëse ke ndonjë skandal, je më i vëmendshëm, dhe duket se kjo gjuhë po shpërblehet.”
