Një shtetas kosovar humb lejen e qëndrimit C në Zvicër pas mungesës mbi njëvjeçare

Gjykata Federale e Zvicrës ka konfirmuar shfuqizimin e lejes së përhershme të qëndrimit (Leja C) për një shtetas kosovar. Ai e humbi këtë të drejtë pasi për më shumë se një vit nuk ka qenë i kapshëm nga autoritetet dhe nuk ka mundur të dëshmojë praninë e tij në territorin zviceran.

Shtetasi në fjalë, i cili jeton në Zvicër që nga viti 1998, kishte marrë lejen C në vitin 2008. Megjithatë, gjatë viteve pasuese, ai ishte dënuar disa herë për vepra penale të ndryshme, si punësimi ilegal i të huajve, lëndimi trupor i ish-bashkëshortes, shkelja e ligjit të armëve dhe falsifikimi i dokumenteve. Pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve për tërheqjen e mundshme të lejes, çështja kulminoi me shfuqizimin e saj.

Kriza filloi në mars të vitit 2022, kur ai u dëbua nga banesa e tij në Friburg. Në atë periudhë, autoritetet nuk mund ta gjenin: telefoni i tij ishte çaktivizuar, korrespondenca zyrtare mbetej e papranuar dhe ish-bashkëshortja deklaroi se nuk kishte më kontakte me të. Në shtator të të njëjtit vit, emri i tij u hoq nga regjistri i banorëve.

Vetëm në mars të vitit 2023 ai u paraqit vullnetarisht në polici, por pa mundur të jepte një adresë të përhershme. Në tetor 2023, u arrestua në një kantier ndërtimi për të vuajtur dënimet me burg. Pas lirimit me kusht në shkurt 2025, ai u vendos në kantonin e Bernës, ku aktualisht jeton me partneren e re dhe fëmijën e tyre të përbashkët.

Autoritetet e Friburgut konstatuan se leja e tij e qëndrimit kishte humbur vlefshmërinë automatikisht, pasi ai nuk dëshmoi praninë e tij në Zvicër për më shumë se gjashtë muaj, konkretisht nga marsi 2022 deri në tetor 2023.

Sipas ligjit zviceran për të huajt dhe integrimin, leja e përhershme e qëndrimit C shfuqizohet *de jure* nëse mbajtësi largohet nga Zvicra dhe qëndron jashtë vendit për më shumë se gjashtë muaj, pa e njoftuar largimin dhe pa kërkuar ruajtjen e lejes. Në rastin konkret, shtetasi kosovar nuk arriti të paraqiste dokumente provuese të pranisë së tij në Zvicër, si kontrata banimi, kontrata pune, fatura apo gjoba.

Gjykata Federale e Zvicrës e konfirmoi vendimin e autoriteteve kantonale, duke vlerësuar se provat ishin shqyrtuar në mënyrë të rregullt. Ajo theksoi se barra e provës për të dëshmuar qëndrimin në Zvicër i takonte vetë ankuesit, detyrim të cilin ai nuk arriti ta përmbushte.

Ndërkohë, mundësia që ai të përfitojë një leje të re qëndrimi për shkak të familjes së krijuar në kantonin e Bernës nuk ishte pjesë e këtij procesi gjyqësor dhe duhet të shqyrtohet veçmas nga autoritetet përkatëse të atij kantoni.