Vedat Muriqi: Kualifikimi në Botëror, si një Pavarësi e dytë për Kosovën

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur në prag të finales së rëndësishme kundër Turqisë, e cila do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Muriqi deklaroi të shtunën për HT Sport se Turqia është favorite në letër, por theksoi se “Dardanët” do të kenë mbështetjen e fuqishme të tifozëve dhe përparësinë e fushës vendase.

“Pa dyshim që Turqia është favorite. Avantazhi ynë është se luajmë në shtëpi. Ata kanë lojtarë të kalibrit të Kenanit dhe Ardas, të cilët luajnë në ekipe të mëdha si Real Madridi. Këta janë asete të vlefshme për futbollin turk, evropian dhe botëror. Ne do të japim maksimumin dhe do të përpiqemi të zbatojmë lojën tonë si skuadër për të arritur objektivin,” tha ai.

“Pirati” theksoi gjithashtu rëndësinë historike të një kualifikimi të mundshëm në Kampionatin Botëror.

“Nëse arrijmë të kualifikohemi në Botëror, do të jetë si një pavarësi e dytë për ne. Të gjithë janë shumë të emocionuar dhe plot shpresë,” nënvizoi sulmuesi nga Prizreni.

Ai la të kuptohet se ky mund të jetë një nga ciklet e tij të fundit me fanellën e Kosovës, duke pasur parasysh moshën dhe ambiciet personale.

“Në prill do të mbush 32 vjeç. Nëse arrijmë të shkojmë në Kupën e Botës dhe të bëjmë një paraqitje të mirë, mendoj se do të jetë momenti i duhur për t’i dhënë fund karrierës me Kombëtaren,” shtoi ai.

Në rast fitoreje, Kosova do të shkruante historinë duke u kualifikuar për herë të parë në garën më të madhe të futbollit, Kampionatin Botëror, i cili do të zhvillohet në tri vende: SHBA, Kanada dhe Meksikë.