Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se një analizë e re tregon se zëri i opozitës në media arrin në 68.2%, ndërsa dukshmëria e qeverisë është 31.8%. Këtë informacion, Rama ia drejtoi organizatës “Reporterët pa Kufij”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se periudha e monitorimit këtë herë është zgjeruar në 120 ditë, duke mbuluar 106,962 artikuj në 47 media të ndryshme. Ai theksoi se kjo analizë është realizuar nga një “start-up” shqiptar, i bazuar në inteligjencën artificiale.

Sipas kryeministrit, dukshmëria e opozitës mbetet më e lartë se ajo e qeverisë.

“Vështirë se ky është profili i një vendi ku kritika heshtet, zërat e opozitës margjinalizohen, apo pluralizmi mediatik është thjesht dekorativ,” u shpreh Rama. “Në një mjedis mediatik vërtet ‘të kapur’, asgjë nga këto nuk do të ekzistonte. Nuk do të kishte një peizazh ku dukshmëria e opozitës dominon edhe në media gjoja proqeveritare, ku kritika e tejkalon mbulimin pozitiv të qeverisë me pothuajse pesë herë, dhe ku zërat opozitarë mbizotërojnë vazhdimisht në kategoritë e mediave kritike, të balancuara dhe proqeveritare njësoj.”