**Organizatat e grave përballen me pasiguri financiare; kërkohet më shumë përgjegjësi institucionale për barazinë gjinore**

Gjatë Takimit të 11-të Konsultativ të Nivelit të Lartë, me fokus në qëndrueshmërinë financiare të agjendës së barazisë gjinore dhe planifikimin e mbështetjes për organizatat e grave, u diskutua për përgjegjësinë institucionale, financimin e këtyre organizatave dhe nevojën për një qasje më të qëndrueshme në avancimin e barazisë gjinore.

Shefja e stafit të Kryeministrit, Flora Macula, kërkoi reflektim dhe përgjegjësi të përbashkët për punën e bërë ndër vite në adresimin e pabarazisë gjinore dhe dhunës ndaj grave. Ajo theksoi se pas vitesh angazhimi nga aktivistët dhe institucionet, është thelbësore të analizohet se ku është gabuar dhe çfarë duhet bërë më tej. “Çfarë kemi bërë gjithë këto vjet? Ku kemi gabuar?”, pyeti Macula, duke theksuar se secili ka një rol dhe duhet të marrë përgjegjësi. Ajo bëri thirrje për ndërtimin e një “trekëndëshi” bashkëpunimi mes aktivistëve, qeverisë dhe Kuvendit, duke përfshirë edhe punën me dhunuesit, për të hartuar një plan efektiv për adresimin e problemeve.

Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vlerësoi se agjenda e barazisë gjinore nuk duhet të varet nga financimi i jashtëm, por duhet të jetë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucioneve dhe shoqërisë. Duke iu referuar rasteve të fundit të dhunës ndaj grave, ajo kërkoi më shumë vetëkritikë dhe reflektim për përgjegjësinë kolektive, përfshirë edhe mënyrën se si shoqëria i trajton gratë dhe vajzat. “Nëse nuk ka financim nga organizatat ndërkombëtare, çfarë bëjmë ne si institucione? Unë besoj se agjenda e barazisë nuk është më një agjendë që duhet të trajtohet si financim nga jashtë. Ose duam të kemi shoqëri të barabartë, ose nuk duam,” theksoi Kusari-Lila. Ajo shtoi se rënia e fondeve është fakt, por barazia është thelbi i funksionimit shoqëror dhe se problemi i dhunës kultivohet edhe brenda shoqërisë, duke kërkuar një rishikim të sjelljes dhe edukimit të djemve.

Nga perspektiva e Ministrisë së Financave, sekretari i kësaj ministrie deklaroi se synimi është që i gjithë buxheti i Kosovës të monitorohet për të vlerësuar nëse po përmbush objektivat e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Ai theksoi se mundësitë për mbështetjen e organizatave joqeveritare ekzistojnë përmes thirrjeve publike dhe përmendi disa skema mbështetëse të financuara nga buxheti i shtetit, si financimi i 400 mijë fëmijëve në llogaritë e nënave dhe mbështetja për lehonat.

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Nicole Farnsworth, tërhoqi vëmendjen për rrezikun që paraqet mungesa e financimit për organizatat e grave, duke theksuar se ato po përballen me rritje të kërkesave për ndihmë, veçanërisht nga gratë që përjetojnë situata emergjente. “Cili është një rrezik shumë i madh për vitet e ardhshme për shumë organizata? Ndodh që nuk kemi ndihmë ligjore për gratë kur kanë një emergjencë. Kemi më shumë thirrje, sepse më shumë gra kanë frikë për çfarë ka ndodhur, por nuk kemi resurse të mjaftueshme,” u shpreh ajo, duke shtuar se pavarësisht kësaj, organizatat po bëjnë përpjekje maksimale për të ndihmuar.