**Rron Gjinovci kërkon falje pas akuzave ndaj familjarëve të viktimave civile të luftës**

Rron Gjinovci, anëtar i shoqërisë civile dhe bashkëpunëtor i Shkëlzen Gashit në organizimin e ekspozitës për masakrat e luftës në Kosovë, ka kërkuar sot falje publike. Kjo falje vjen një ditë pasi ai akuzoi publikisht familjarët e viktimave civile se kishin paraqitur të vrarët si ushtarë, me qëllim të marrjes së pensioneve më të larta.

Në një postim në Facebook, Gjinovci shprehu keqardhje duke thënë: “Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar.”

Ai theksoi se qëllimi i ekspozitës ishte: “Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd.”

Një ditë më parë, në një postim tjetër me titull “E vërteta për ekspozitën e masakrave”, Gjinovci kishte pretenduar se disa nga të vrarët në luftë ishin “deklaruar si ushtarë” nga familjarët e tyre. Sipas tij, kjo ishte bërë “me qëllim të rritjes së vlerës së tyre dhe/ose marrjes së një pensioni më të lartë që e ndan shteti për familjarët e të vrarëve si ushtarë, në krahasim me ata të vrarë si civilë”.

Autorët e ekspozitës kishin deklaruar se për të dhënat e masakrave ishin mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libri i Kujtesës së Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), organizatë e udhëhequr nga aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq.

Megjithatë, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDHK) reagoi, duke theksuar se të dhënat e paraqitura në ekspozitë në disa raste japin një pasqyrë të pasaktë të krimeve. FDHK shtoi se kjo nuk lidhet me çështje interpretimi, por “me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave”.