Organizatorët e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” kërkojnë falje publike
**Prishtinë** – Organizatorët e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, shoqatat Integra dhe Admovere, i kanë kërkuar falje publike familjarëve të viktimave civile të luftës dhe opinionit të gjerë. Kjo kërkesë vjen pas kritikave të shumta për pasaktësi në pasqyrimin e ngjarjeve, të cilat shkaktuan reagime të forta.
Përmes një reagimi të shpërndarë në Facebook, Integra dhe Admovere theksuan se qëllimi i tyre kryesor ishte “i qartë dhe i pandryshueshëm”: të nderojnë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. “Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet në reagimin e tyre.
Ekspozita, e shfaqur së fundmi në Prishtinë, ishte përcjellë me reagime të shumta nga qytetarë dhe figura politike në vend, të cilët ngritën shqetësime lidhur me saktësinë e të dhënave të paraqitura.
Njëkohësisht, organizatorët bënë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale ndaj tyre, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Ata theksuan besimin se “diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme.”
