**Skandal me kalendarin festiv të Skims: Kompania e Kim Kardashian detyrohet t’u kthejë paratë klientëve pas valës së kritikave**
Kompania e Kim Kardashian, Skims, është detyruar të reagojë pas një vërshimi kritikash në rrjetet sociale lidhur me kalendarin e saj festiv (advent), i cili shitej për 148 dollarë dhe u cilësua nga blerësit si mashtrues dhe i pavlerë. Pas zemërimit të thellë të konsumatorëve, Skims ka njoftuar se do t’u ofrojë të gjithë klientëve që e kanë blerë produktin dy mundësi: rimbursim të plotë të shumës së paguar ose një kupon për blerje të tjera në dyqanin e markës.
Një zëdhënës i kompanisë deklaroi: “Jemi në dijeni të reagimeve të disa klientëve për kalendarin tonë dhe i kemi dëgjuar me kujdes. Meqenëse produkti nuk përmbushi pritshmëritë, kemi kontaktuar personalisht çdo klient që e ka blerë dhe i kemi ofruar mundësinë e rimbursimit të plotë ose kreditit për produkte të tjera.”
Kritikat u shpërndanë me shpejtësi pasi një video në TikTok, ku një krijuese përmbajtjeje shpaloste dhuratat e kalendarit, u bë virale, duke grumbulluar mbi 64 milionë shikime. Kalendari premtonte 12 surpriza festive, por përmbajtja e tij rezultoi zhgënjyese për shumicën e blerësve. Midis “dhuratave” kishte varëse çelësash me logon e Skims, lidhëse mëndafshi për flokët, kapëse flokësh, një lodër të butë dhe zbukurime për Krishtlindje. Shumë klientë e konsideruan çmimin prej 148 dollarësh tepër të lartë në raport me vlerën e vogël të artikujve të ofruar.
Në videon e saj, krijuesja e përmbajtjes iu drejtua drejtpërdrejt Kim Kardashian, duke shprehur pakënaqësinë e saj dhe duke theksuar se kalendari ishte “shumë i shtrenjtë për atë që ofronte”. Komentet e përdoruesve të tjerë ishin po aq të ashpra, duke e përshkruar kalendarin si një “kuti me surpriza zhgënjyese” dhe duke vënë në dyshim vlerën reale të produkteve.
Çuditërisht, pavarësisht polemikave të forta, kalendari festiv i Skims rezulton i shitur plotësisht dhe aktualisht ekziston një listë pritjeje për blerësit e interesuar.
Nuk është hera e parë që marka e Kim Kardashian përballet me kritika të tilla. Skims u themelua në vitin 2019, fillimisht me emrin “Kimono”. Ky emërtim shkaktoi reagime të forta për përvetësim kulturor, duke qenë se ishte i lidhur me veshjen tradicionale japoneze. Pas atyre polemikave, Kardashian ndryshoi emrin e kompanisë në Skims, duke shpjeguar se nuk kishte pasur qëllim të fyejë asnjë kulturë, por pranoi se nuk e kishte kuptuar impaktin negativ që mund të kishte emri fillestar. Tani, një tjetër valë kritikash godet markën për një produkt që nuk justifikoi pritshmëritë e klientëve.
