Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kritikuar ashpër qeverinë, duke theksuar se po kalon “nga një skandal në tjetrin”. Tahiri i bëri këto komente gjatë një konference për shtyp ku foli për ekspozitën kontroverse mbi masakrat në Kosovë dhe për rritjen e çmimeve.

Ai e cilësoi situatën si “skandal pas skandali”, duke akuzuar institucionet për mungesë përgjegjësie në dhënien e dritës jeshile për shfaqjen e ekspozitës. Tahiri theksoi se “është totalisht e pakuptueshme se si dështojnë shteti, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, si dhe ministria përkatëse, duke mbështetur një ekspozitë e cila përmban pasaktësi që ndërlidhen me të drejtën historike të Kosovës, madje edhe të dhëna të demantuara nga vetë burimi”.

Tahiri vuri në dukje përpjekjet e institucioneve për t’iu shmangur përgjegjësisë. “Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka përjashtuar autorin nga zyra e Kryeministrit, qeveria dhe ministria përkatëse shprehen se nuk dinë për konkursin, ndërsa edhe Kuvendi i Kosovës, si financues, përpiqet të shmangë përgjegjësinë,” citon Tahiri. AAK dhe Grupi i saj Parlamentar kërkojnë trajtim serioz të çështjes. Tahiri njoftoi se i është dërguar një letër kryetares së Kuvendit, bazuar në kërkesat e aktivistëve, për të adresuar çështjet e transparencës dhe procesit. “Duhet të dimë burimin e vërtetë të një situate që fillimisht ka prekur viktimat dhe historinë, e më pas ka përfshirë edhe institucionet më të larta të Kosovës, siç është Kuvendi,” shtoi ai.

Në pjesën e dytë të konferencës, Tahiri u përqendrua te gjendja ekonomike dhe rritja e çmimeve, të cilën e cilësoi si “goditje jashtëzakonisht të madhe për qytetarët e Kosovës”.

Tahiri vuri në dyshim pretendimet e qeverisë për rritje ekonomike, duke iu referuar raporteve kredibile mbi Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) nga viti 2010 deri në 2025. Ai pyeti retorikisht: “A ju kujtohet që qeveria, ministrat dhe kryeministri thoshin se Kosova ka rritjen ekonomike më të madhe në rajon? Kush po gënjen këtu? Të dhënat empirike apo ata që pretendojnë se vendi më i varfër në rajon ka rritjen më të madhe ekonomike?”

Duke folur për çmimet e konsumit, Tahiri theksoi se rritja e tyre është një goditje tejet e rëndë për qytetarët dhe tregun. “Kur çmimet janë të larta, qytetarët blejnë më pak, çka sjell ulje të prodhimit dhe ngadalësim të ekonomisë,” shpjegoi ai. “Bizneset përballen me ulje të qarkullimit, rënie të shitjeve dhe rritje të stokut, pasi mungon fuqia blerëse për shkak të çmimeve të larta.” Ai shtoi se kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme për çdo qytetar, sidomos për ata që jetojnë me të ardhura nga skemat sociale.