KFOR trajnon ushtarët hungarezë për t’u mbrojtur nga sulmet me mjete ndezëse.

Ushtarët e kompanisë hungareze, pjesë e misionit të KFOR-it, kanë kryer ushtrime për të përballuar kërcënimet me mjete ndezëse të improvizuara, duke përfshirë koktej molotovi.

KFOR-i njoftoi se gjatë trajnimit janë demonstruar procedura për tejkalimin e frikës nga flakët, si dhe përdorimi i duhur i mburojave për t’u mbrojtur nga lëndimet prej lëngjeve djegëse dhe mjeteve shpërthyese.

Misioni shton se përmes këtij trajnimi, ushtarët kanë përmirësuar aftësitë e tyre për t’iu përgjigjur kërcënimeve të tilla, si individualisht ashtu edhe në nivel njësie.

Këto ushtrime synojnë të ruajnë gatishmërinë dhe kapacitetin e trupave për t’u përballur me skenarë të ndryshëm sigurie.