Trajneri turk Hikmet Karaman vlerëson Kosovën: “Në Turqi po thonë më mirë të na binte Sllovakia në finale”

Trajneri i njohur turk, Hikmet Karaman, ka bërë një vlerësim të lartë për Kombëtaren e Kosovës, në prag të ndeshjes vendimtare të fazës eliminatore.

Në një deklaratë për mediat turke, ai theksoi ndryshimin e perceptimit ndaj Kosovës pas ndeshjes me Sllovakinë, duke nënvizuar forcën e shfaqur nga skuadra e “Dardanëve”.

“Para ndeshjes Sllovaki–Kosovë, të gjithë thoshin ‘të mos na vijë Sllovakia’. Pas ndeshjes, pasi e panë lojën, tani thonë ‘ah, më mirë të na vinte Sllovakia’”, u shpreh Karaman për gazetën Hürriyet.

Karaman e cilësoi Kosovën si një kundërshtar tejet të fortë dhe paralajmëroi Turqinë për kujdes maksimal në çdo repart të fushës.

“Kosova është vërtet një skuadër e jashtëzakonshme. Mesfusha jonë qendrore dhe mbrojtja duhet të luajnë shumë mirë. Edhe portieri ynë duhet të ketë minimumin e gabimeve”, shtoi ai.

Kosova do të përballet me Turqinë të martën në Prishtinë, në finalen eliminatore për Kupën e Botës.