Mikel Arteta është shpallur trajneri më i mirë i Premier Ligës për sezonin 2025/26, një zgjedhje që vjen si kulm i një arritjeje historike. Pas një pritjeje 22-vjeçare për titullin kampion, zgjedhja e tij reflekton suksesin e jashtëzakonshëm me Arsenalin.

Ky vlerësim zyrtar për trajnerin e Arsenalit është fryt i një sezoni të paharrueshëm, i cili i riktheu “Topçinjtë” në majën e futbollit anglez. Për Artetën, ky është triumfi i parë në k këtë kategori që nga momenti kur mori drejtimin e Arsenalit në vitin 2019.

Ai bëhet gjithashtu trajneri i parë i klubit londinez që fiton këtë çmim pas legjendës Arsène Wenger, i cili e kishte fituar për herë të fundit gjatë sezonit historik 2003/04 të “Invincibles”.

Sezoni i Arsenalit u ndërtua mbi vazhdimësi dhe stabilitet. Skuadra londineze regjistroi 27 fitore dhe 7 barazime në 38 ndeshje kampionati, duke dominuar pjesën më të madhe të sezonit në krye të tabelës. Pas tre vendesh të dyta radhazi në vitet e fundit, këtë herë skuadra e Artetës arriti të bënte hapin final drejt titullit.

Statistikat e tregojnë qartë dominimin e Arsenalit. Ekipi kishte mbrojtjen më të mirë në Premier Ligë, me vetëm 27 gola të pësuar dhe 19 ndeshje pa pësuar gol – shifra këto më të mira se çdo rival tjetër në kampionat. Në repartin ofensiv, Arsenali realizoi 71 gola, duke u renditur si sulmi i dytë më produktiv në ligë, pas Manchester Cityt me 77 gola.

Një element tjetër që e bën suksesin e Artetës edhe më të veçantë është fakti se ai u bë trajneri i parë në historinë e Premier Ligës që fiton titullin me një klub ku kishte luajtur edhe si futbollist. Spanjolli veshi fanellën e Arsenalit nga viti 2011 deri në 2016, ndërsa tani ka hyrë në historinë e klubit edhe si trajner.

Në moshën 44 vjeç e 54 ditë, Arteta është gjithashtu trajneri i tretë më i ri që fiton Premier Ligën, pas José Mourinhos, i cili e kishte arritur këtë sukses me Chelsean në sezonet 2004/05 dhe 2005/06.

Në garën për çmimin e trajnerit të sezonit, Arteta la pas emra të rëndësishëm si Pep Guardiola, Michael Carrick, Andoni Iraola, Keith Andrews dhe Regis Le Bris.

Suksesi i Arsenalit nuk mbyllet vetëm me titullin kampion. Londinezët kanë siguruar edhe finalen e Champions League kundër Paris Saint-Germainit, ku synojnë të kompletojnë një sezon të paharrueshëm me një “double” historike.