Festa e Kurban Bajramit, mesazhi i klerikëve: Bëni kurban inatet, mllefet dhe egot personale

Festa e Kurban Bajramit mblodhi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë mijëra besimtarë që në orët e para të mëngjesit.

Në njërën nga dy festat më të rëndësishme islame, besimtarët myslimanë shkëmbyen urime dhe ndanë emocionet e tyre pas faljes së namazit të Bajramit.

Klerikët myslimanë bënë thirrje që kuptimi i kësaj feste, e cila simbolizon therjen e kurbanit si shenjë sakrifice dhe devotshmërie, të shkojë përtej aktit ritual, duke nxitur përmirësimin e aspektit personal tek çdo besimtar.

“Është dita kur zemrat e besimtarëve mbushen me dashuri, reflektim dhe devotshmëri ndaj Zotit. Është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit”, deklaroi kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, në fjalën e tij, sipas A2CNN.

“Në kuptim figurativ, secili duhet të bëjë një kurban në jetën e tij. Dikush duhet të flijojë egoizmin, dikush materializmin e theksuar, dikush mendjemadhësinë, dikush tjetër urrejtjen dhe mllefin, dikush padrejtësinë e dikush mëkatin që e ka rënduar dhe lodhur përgjatë jetës së tij”, theksoi nënkryetari i KMSh-së, Taulant Bica.

Kurban Bajrami vijon me tre ditë festë në familjet e besimtarëve, ku përveç urimeve, nuk mungojnë vizitat tek të afërmit, si shenjë e ruajtjes së lidhjeve farefisnore.