**Prishtina, Destinacioni Surprizë për Zviceranët Vitin e Kaluar: Mbi Parisin dhe Madridin**

Vitin e kaluar, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, mirëpriti gati 800,000 udhëtarë nga Zvicra, një shifër kjo që tejkalon numrin e vizitorëve zviceranë në qytete të njohura evropiane si Lisbona, Madridi apo Parisi. Kjo shfaqet si një surprizë në analizën e fundit të numrit të pasagjerëve, e cila vjen në një kohë kur aeroportet zvicerane kanë vendosur një rekord të ri.

Aeroportet në Zvicër shënuan një rekord historik vitin e kaluar, me rreth 60 milionë pasagjerë gjithsej. Prej tyre, 25 milionë ishin pasagjerë tranzit, të cilët vazhduan udhëtimet e tyre drejt destinacioneve të tjera ndërkombëtare.

Transmetuesi publik zviceran SRF, në një analizë të zhvillimeve më të fundit të numrit të pasagjerëve në aeroportet ndërkombëtare të vendit, vë në dukje një fakt interesant, numrin e lartë të atyre që kanë fluturuar për në Kosovë, konkretisht në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës, raporton albinfo.ch.

Sipas SRF, ndërsa aeroportet e njohura evropiane si Heathrow, Schiphol apo Berlin-Brandenburg mbeten ndër destinacionet kryesore dhe më të frekuentuara nga zviceranët, Prishtina shfaqet si një destinacion i papritur, duke u renditur lart në preferencat e udhëtarëve.

Kryeqyteti i Kosovës, siç u theksua, mirëpriti gati 800,000 udhëtarë nga Zvicra, duke lënë pas qytete si Lisbona, Madridi dhe Parisi. Edhe Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, ka parë një rritje të ndjeshme të numrit të udhëtarëve zviceranë: nga 5,500 persona në vitin 2005, ky numër është rritur në mbi 100,000 vitin e kaluar.

Në periudhën e fundit, shumica e udhëtimeve nga Zvicra u zhvilluan drejt aeroporteve vendase dhe atyre të vendeve fqinje, veçanërisht Gjermanisë. Po ashtu, Emiratet e Bashkuara Arabe janë shndërruar në një qendër të rëndësishme tranziti për qytetarët zviceranë. Dubai është tani destinacioni më i frekuentuar jo-evropian për udhëtarët nga Zvicra. Vitin e kaluar, mbi 700,000 persona zbarkuan atje me fluturime direkte nga Zvicra, megjithëse për më shumë se gjysma e tyre, Dubai ishte thjesht një ndalesë tranziti, përcjell albinfo.ch.