**Çaji, një aleat i fuqishëm kundër diabetit të tipit 2 dhe rritjes së sheqerit në gjak**
Diabeti i tipit 2, nëse nuk menaxhohet si duhet, mund të shkaktojë komplikime serioze në zemër, sy, nerva, veshka dhe këmbë. Përveç mjekimit, thelbësore është dhe ndjekja e një diete të shëndetshme, me pak sheqer, kalori dhe yndyrë, për ta mbajtur sëmundjen nën kontroll.
Krahas shmangies së ushqimeve të dëmshme, kontrolli i diabetit të tipit 2 mund të arrihet edhe përmes konsumit të ushqimeve që ndihmojnë në rritjen e ndjeshmërisë ndaj insulinës dhe, rrjedhimisht, në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak.
Sipas ekspertëve të diabetit, çaji është një nga pijet që sjell përfitime të shumta për pacientët me diabet të tipit 2. Ata theksojnë se çaji jo vetëm që përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës, por gjithashtu ul rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2. Kjo vjen si pasojë e pranisë së mikronutrientëve të quajtur polifenole në lloje të caktuara të çajit, të cilat rrisin aktivitetin e insulinës.
Polifenolet janë të pasura me antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen kundër inflamacioneve dhe karcinogjenëve. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shtimi i qumështit në çaj zvogëlon efikasitetin e tij.
Çajrat pa qumësht, si çaji i zi, çaji i gjelbër dhe ai Oolong, konsiderohen më të mirët për të nxitur aktivitetin e insulinës. Një studim i vitit 2009 tregoi se konsumi i tre gotave çaj në ditë mund të reduktojë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 deri në 40%.
