Vrasje në Mitrovicë: Një 37-vjeçar humb jetën pas plagëve me thikë, arrestohet i dyshuari

Një 37-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra me thikë në Mitrovicë të Jugut. Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00. Policia kishte marrë informacionin se në Spitalin Rajonal të Mitrovicës ishte shtruar një person i plagosur me mjet të mprehtë.

Mjeku kujdestar konfirmoi se viktima, një 37-vjeçar, kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Në të njëjtën ngjarje është lënduar edhe një person tjetër nga i dyshuari. Pas trajtimit në urgjencën e Spitalit Rajonal të Mitrovicës, ai është transferuar për kujdes të mëtejshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku gjendja e tij raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën.

Policia bëri të ditur se i dyshuari, një 31-vjeçar, është arrestuar. Gjithashtu, është sekuestruar edhe thika që dyshohet se u përdor në kryerjen e veprës.

Me urdhër të prokurorit për krime të rënda, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.