Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) ka njoftuar se do të monitorojë zgjedhjet e 7 qershorit përmes një misioni vendor. Ky mision do të angazhojë 150 vëzhgues në të gjitha komunat e vendit dhe do të mbulojë komponentët kryesorë të procesit zgjedhor.
Eugen Cakolli, gjatë një konference për media, theksoi se monitorimi i DnV-së do të përfshijë edhe sferën digjitale, me fokus në përmbajtjet problematike si dezinformimi, lajmet e rreme, gjuha e urrejtjes dhe përmbajtjet manipuluese.
Ai sqaroi se vëzhguesit do të ndjekin kronikat zgjedhore brenda edicioneve qendrore të lajmeve, debatet televizive të organizuara gjatë orarit “prime time”, si dhe do të vlerësojnë kohën e transmetimit që u dedikohet kandidatëve. Gjithashtu, do të monitorohen faqet zyrtare në Facebook të kandidatëve për kryeministra dhe të partive politike, me theks tek llojet e postimeve, promovimi i kandidatëve për deputetë dhe trendet e tjashme dixhitale.
