Hapet aplikimi për subvencionin 100 eurosh për punëtorët e sektorit jo-publik, afati deri më 5 qershor
Qeveria në detyrë ka hapur aplikimin për punëtorët e sektorit jo-publik që të përfitojnë nga një subvencion prej 100 eurosh, bazuar në vendimin e saj të fundit. Afati i fundit për aplikim është data 5 qershor e këtij viti.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka publikuar formularin online, ku punëtorët mund të aplikojnë duke plotësuar të dhënat e kërkuara. Aplikimi mund të bëhet në linkun vijues: [https://apps.atk-ks.org/Subvencionim](https://apps.atk-ks.org/Subvencionim)
Murati ka theksuar rëndësinë e saktësisë së të dhënave, duke specifikuar se çdo i punësuar duhet të aplikojë individualisht. Llogaria bankare, ku do të bëhet transferta e mjeteve, duhet të jetë patjetër në emër të përfituesit. Aplikimet që përmbajnë gabime do të refuzohen.
**Kush mund të aplikojë:**
* Punëtorët në sektorin privat;
* Punëtorët në entitete jo-publike (Organizata Joqeveritare – OJQ);
* Punëtorët në entitete publike që nuk marrin pagë nga buxheti i shtetit përmes listës së pagave (p.sh. Ndërmarrjet Publike, RTK etj.).
**Kriteret e përfitimit:**
* Përfituesi duhet të ketë të ardhura mujore bruto jo më shumë se 1,000 euro;
* Punëtori duhet të jetë i deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) nga punëdhënësi me deklaratën e muajit prill, e cila duhej të ishte bërë deri më 15 maj.
