Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar ushtrinë e vendit të tij të marrë nën kontroll mbi 70% të territorit të Rripit të Gazës.
Netanyahu deklaroi se Izraeli po forcon kontrollin ndaj grupit militant Hamas, raporton CNN.
“Ne tani jemi në 60 për qind të territorit të Rripit të Gazës. Ishim në 50 për qind, lëvizëm në 60. Urdhri im është që të lëvizim – hap pas hapi – drejt 70-shit. Të fillojmë aty”, citohet të ketë thënë ai gjatë një interviste në një konferencë të zhvilluar në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ndërsa ai fliste, audienca e pranishme i bënte thirrje të merrte nën kontroll të gjithë territorin e Gazës.
Në fund të muajit prill, Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) kishin publikuar harta që tregonin se ushtria tashmë kontrollonte afërsisht 64 për qind të Gazës.
Marrja e një territori më të madh në Gaza do të detyronte rreth 2 milionë palestinezë të jetonin në një pjesë gjithnjë e më të vogël të këtij territori të shkatërruar nga konflikti.
