Fisnik Asllani: Statusi i favoritit nuk më intereson; Sllovakia dhe Suedia ishin po ashtu favorite

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Fisnik Asllani, përpara ndeshjes finale të “play-off”-it kundër Turqisë, deklaroi se Kosova ka fituar një dozë të lartë vetëbesimi pas fitores bindëse në Bratisllavë ndaj Sllovakisë.

Asllani theksoi se lojtarët e Kosovës do të zhvillojnë një ndeshje të mirë ndaj Turqisë, duke shprehur shpresën për kualifikim në Botërorin 2026.

“Fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim. Të martën, kundër Turqisë, shpresoj se do të zhvillojmë një paraqitje shumë të mirë. Shpresojmë ta fitojmë këtë ndeshje dhe të shkojmë në Kupën e Botës,” u shpreh ai.

Sulmuesi i Hoffenheim-it shtoi se çështja e favoritëve para ndeshjes nuk e shqetëson, pasi, siç theksoi ai, Sllovakia dhe Suedia ishin po ashtu konsideruar favorite përballë Kosovës.

“Kjo çështje, për mua personalisht, nuk ka rëndësi, dhe nuk besoj se ka as për ekipin; në fund, gjithçka vendoset në fushën e lojës. Favorite ishin edhe Sllovakia, edhe Suedia. Prandaj, ne do ta kryejmë punën tonë dhe do të japim maksimumin në fushë,” përfundoi Asllani.